Me debate është shoqëruar mbledhja e sotme e Këshillit për Mandatet, teksa kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi është përplasur me kolegun e tij nga PS, Bledi Çuçi.
Bardhi u shpreh se nisma për të deklaruar deputetët nëse e kanë përdorur apo jo aplikacionin Sky Ecc dhe Enkro Chat është në nderin e tyre nëse do ta nisin nga vetja.
“Nuk po them se deputetët e kanë përdorur për krime. Mund ta kenë përdorur për arsye private të jetës tyre. Por secili prej nesh do duhet të deklarojë e ka përdorur apo ja platformën e Sky Ecc. Kjo është e gjitha. Kush nuk ka asgjë për të fshehur nuk ka pse të frikësohet. Për sa kohë ne ja kemi vënë detyrim funksionarëve të tjerë të shtetit do duhet ta nisim nga vetja. Kjo është e ndershme. Sa kohe detyrojmë një funksionar policie që paguhet me 600 mijë lek të vjetra ne do duhet nisim ne nga vetja. Ky është standard moral”, tha ai.
Ndërkohë Çuçi tha se ky propozim duhet shqyrtuar në një grup më të gjerë pune dhe të mos bëhet retorikë apo populizëm për interesa politike të ditës.
“Po më dukesh si Beso te filmi ‘Dora e ngrohtë’ që thotë ‘kontrollomni’… ju lutem shumë mos më ndërprisni. Thatë një gjë të pavërtetë që ne s’kemi bërë Kallëzim enë SPAK, e ke gabim sepse sot ka çështje në bazë të kallëzimeve tona.
Qëndrimi i grupit tonë parlamentar është i qartë: Pavarësisht mendimit tim personal mbi mënyrën se si mund të ruhet integriteti i deputetit, ky çështje duhet të shqyrtohet në një grup pune. Ka disa çështje procedurale që duhet të merremi në konsideratë. A është kjo çështje pjesë e Rregullores së Kuvendit? A duhet Rregullorja të miratohet përmes një aplikacioni, pasi ka disa variante të mundshme? A ka ndikim kjo në Kodin Penal? Pra, ka disa aspekte që kërkojnë shqyrtim të thelluar. Për këtë, një grup profesionistësh mund të analizojë nëse kjo ka ndikim në Kodin Penal. Mund të përfshihet kjo çështje në formularin e vetëdeklarimit para kandidimit, ose ndoshta të përfshihen edhe kryetarët e bashkive apo individë nga sistemi i drejtësisë.
Unë personalisht nuk e mendoj kështu, por le ta shqyrtojmë së bashku me ndryshimet e tjera të Rregullores dhe ta shohim në një kontekst më të gjerë. Sidoqoftë, mënyra si është shkruar propozimi këtu nuk është në përputhje me Kushtetutën. Nuk duhet të bëjmë ndryshime që mund të cenohen lehtësisht nesër në Gjykatën Kushtetuese. Nëse vërtet duam të adresojmë çështjen e pastërtisë së figurës së deputetit, duhet ta bëjmë në mënyrë të saktë dhe të plote, jo për qëllime populiste”, tha Çuçi.
Top Channel