Ish-presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro, i cili është nën hetim për komplot për një grusht shteti, nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e Donald Trumpit.
Kjo ka ndodhur pasi gjykata vendosi që pasaporta e tij e konfiskuar të mos kthehej në rast se Bolsonaro e përdorte atë për të ikur jashtë vendit.
Guardian raporton se dokumenti i udhëtimit të tij u sekuestrua nga policia federale shkurtin e kaluar, ndërsa hetuesit thelluan hetimet e tyre në atë që ata e quajnë një komplot të gjerë për të çmontuar demokracinë 40-vjeçare të Brazilit.
Në nëntor, populisti i ekstremit të djathtë, i cili qeverisi Brazilin nga viti 2019 deri në vitin 2023, ishte një nga afro 40 personat që u akuzuan zyrtarisht se ishin pjesë e një komploti kriminal për të ndaluar pasardhësin e tij të majtë të merrte pushtetin duke organizuar një grusht shteti.
Avokatët e Bolsonaros i kërkuan gjykatës supreme në fillim të këtij muaji, duke argumentuar se klientit të tyre duhet t’i lejohet një udhëtim gjashtë-ditor në SHBA, në mënyrë që të marrë pjesë në betimin më 20 janar të Trump, aleatit më të rëndësishëm të huaj të politikanit brazilian.
Por kërkesa u shpërfill dhe të enjten, gjyqtari Alexandre de Moraes vendosi se serioziteti i krimeve që i atribuohen Bolsonaro nënkuptonte se atij nuk duhet t’i kthehej pasaporta.
Në prag të atij vendimi, prokurori i përgjithshëm, Paulo Gonet, argumentoi se interesi publik për të ndaluar potencialisht Bolsonaro nga përpjekjet për t’i shmangur drejtësisë, e tejkaloi interesin privat të ish-liderit brazilian për të parë presidentin e 47-të të SHBA-së të marrë pushtetin të hënën.
Top Channel