Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Berishës për masën e sigurisë “arrest në shtëpi”: Pretendimet nuk janë të bazuara

17/01/2025 18:36

Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e kreut të PD, Sali Berisha për masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Ish-kryeministri ngriti pretendime në lidhje me masën e vendosur nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion, të cilat sipas Kushtetueses janë të pabazuara.

Në vendim theksohet se kërkesa e Berishës është e papajtueshme me Kushtetutën.

“Gjykata, pasi shqyrtoi fillimisht kriteret e legjitimimit të kërkuesit, arriti në përfundimin se: ai legjitimohet si për kundërshtimin e vendimeve gjyqësore për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, ashtu edhe për kundërshtimin e procedurës së ndjekur nga Kuvendi për dhënien e autorizimit për caktimin ndaj tij të masës së arrestit në shtëpi.

Gjykata vlerësoi se pretendimet në lidhje me pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave të posaçme për shkak të ligjit nr. 95/2016 nuk mund të merret në shqyrtim pasi përbën gjë të gjykuar.

Po kështu pretendimet në lidhje me parimin e sigurisë juridike për shkak të paqartësisë së dispozitave procedurale penale që lidhen me kohën e ekzekutimit të masave të sigurimit, nuk mund të merren në shqyrtim pasi kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet juridike”, sipas Kushtetueses.

Pak javë më parë Apeli i GjKKO-së e zëvendësoi masën arrest në shtëpi të kreut të opozitës me atë detyrim paraqitje. Siç u mësua në zbardhjen e vendimit, kjo zbutje e masës erdhi pasi tani jemi në fushatë elektorale dhe Berisha është lideri i opozitës.

“Lidhur me zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga ajo e “Arrest në shtëpi” në “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, duke marrë parasysh:

– faktin se kërkuesi kishte një vit me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”,

– faktin se moszbatimi i detyrimeve që lidheshin me masës e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” bazoheshin mbi një alibi për antikushtetuetshmërinë e kësaj mase, të rrezuar tashme nga Gjykata Kushtetuese,

– moshën dhe rrethana e tjera që kanë qenë në konsideratë të gjyqtarit të hetimeve paraprake, por të vlerësuara tashmë në raport me këto rrethana të tjera,

– si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që jemi në periudhën para fushatës zgjedhore dhe kërkuesi është konsideruar edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese si lideri i opozitës, ose kryetar i partisë kryesore opozitare,
u arrit në përfundimin që masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” nuk ishte më e nevojshme”, sipas vendimit të Apelit të Posaçëm.

Vendimi i plotë i Kushtetueses:

Në datën 17.01.2025, Gjykata Kushtetuese (Gjykata) mori në shqyrtim çështjen me kërkues Sali Berisha, me objekt shfuqizimin e vendimeve nr. 520, datë 30.12.2023 dhe nr. 521, datë 27.12.2023, të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 15 (87-2024-23), datë 25.01.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-667 (94), datë 09.04.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Gjykata, pasi shqyrtoi fillimisht kriteret e legjitimimit të kërkuesit, arriti në përfundimin se: ai legjitimohet si për kundërshtimin e vendimeve gjyqësore për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, ashtu edhe për kundërshtimin e procedurës së ndjekur nga Kuvendi për dhënien e autorizimit për caktimin ndaj tij të masës së arrestit në shtëpi.

Gjykata vlerësoi se pretendimet në lidhje me pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave të posaçme për shkak të ligjit nr. 95/2016 nuk mund të merret në shqyrtim pasi përbën gjë të gjykuar.

Po kështu pretendimet në lidhje me parimin e sigurisë juridike për shkak të paqartësisë së dispozitave procedurale penale që lidhen me kohën e ekzekutimit të masave të sigurimit, nuk mund të merren në shqyrtim pasi kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet juridike.

Për sa i takon themelit të çështjes, duke mbajtur në konsideratë argumentet, parashtrimet dhe prapësimet e palëve, Gjykata vlerësoi se:
1. Në lidhje me pretendimin për procedurën parlamentare për dhënien e autorizimit nga Kuvendi, sipas nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, Gjykata me shumice votash çmoi se ky pretendim është i pabazuar
2. Në lidhje me pretendimet për cenim të lirisë personale (neni 27 i Kushtetutës), të lidhur me te drejtën për t’u zgjedhur ( neni 45 i Kushtetutës), Gjykata i vlerësoi ato në dy aspekte: në aspektin procedural dhe aspektin substancial.
A) Në aspektin procedural, Gjykata vlerësoi procesin gjyqësor në të cilin ishte vendosur zëvendësimi i masave të sigurimit me atë të arrestit në shtëpi në drejtimet e mëposhtme:
i) parimi i paanshmërisë së gjykatës i lidhur me të drejtën e mbrojtjes efektive;
ii) së drejtës së aksesit të lidhur me standardin e arsyetimit të vendimit.
Gjykata me shumicë votash vlerësoi se këto pretendime nuk janë të bazuara.

B) Në aspektin substancial Gjykata vlerësoi proporcionalitetin e masës së arrestit ne shtëpi në drejtim të nevojës, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë.

Gjykata bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës, për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh.

Në përfundim Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA