Pista kryesore ku po heton policia për vrasjen e Kristian Markut është hakmarrja.
Shtetasi Kristian Marku alias Kristi Bardhi është nga Mirdita dhe rezulton të jetë nipi i Martin Bardhit të vrarë në Rrëshen në shtator të vitit 2023, sipas korrespodentit të Top Channel, Mikel Marsi.
30-vjeçari, i cili u qëllua sot për vdekje ndërsa po udhëtonte në autostradën Fier-Vlorë dyshohet të jetë autor në ngjarjen e datës 26.03.2023, rreth orës 19:00, ndodhur në Rrëshen të Mirditës, ku pati të shtëna me armë zjarri në drejtim të Saimir Reçit.
Ai akuzohej për veprat penale “Vrasje me dashje në bashkëpunim mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”, por nuk u arrit të provohej përfshirja e tij në këtë ngjarjes dhe arriti të fitonte lirinë.
30-vjeçari u qëllua me breshëri automatiku rreth orës 18:15, në afërsi të fshatit Novoselë, ndërsa po udhëtonte në autostradën Fier-Vlorë me automjetin tip “Volkswagen”.
Autorët dyshohet se kanë kaluar drejt qytetit të Vlorës pas aktit të rëndë.
Një makinë e djegur është gjetur po në Novoselë, jo shumë larg vendit të ngjarjes.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të Policisë së DVP Vlorë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Fier. Vijon krehja e zonës dhe kontrollet për kapjen e autorëve.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Top Channel