Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues të sipërmarrjes dhe sektorit bankar, me prezencën e përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, për prezantimin e kësaj faze zhvillimi, në funksion të përmirësimit të kushteve të administratës shtetërore, lidhur me hapësirat e punës.
Në prezantimin publik merrte pjesë edhe Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, si dhe drejtoresha ekzekutive e “Albanian Investment Corporation”, Elira Kokona.
Blendi Gonxhja, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit tha se pjesë e projekteve është edhe ndërtimi i një stadiumi të ri te “Selman Stermasi”.
“Më vjen mirë që jemi këtu për t’i dhënë një drejtim të ardhmes së Selmanit pa e lënë më atë që të jetë bir selman i nënës e i kopjeve të shëmtuara të strukturave si ato që përmenda të paktën për pjesën e projekteve që e kemi pas trashëguar nga koha e monizmit në Shqipëri. Kalojmë në një projekt të stadiumit të ri modern autentik nuk do jetë padyshim as San Siro as Arena për shkak të kushteve. Përpos të qenit stadium do të jetë edhe një pol i jashtëzakonshëm zhvillimi në zemër të Tiranës.
Përsëritja e historisë së shkesit Air Albania, apo Qemal Stafës do sjellë përfitim të jashtëzakonshëm edhe për të gjithë zonën përreth që do të fitojë në vlerën e pronës apo gjenerim i aktivitetit të shtuar ekonomik.
Ndërkohë drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Adelina Greca, bëri me dije gjatë prezantimit se faza e parë për të marrë pjesë në këtë projekt është e hapur deri më 24 Janar.
Sipas saj, investitorët që duhet të paraqesin projektet e tyre për zhvillimin e stadiumit “Selman Stërmasi” dhe hapësirave përreth duhet të jenë arkitektë dhe sipërmarrës”, tha Gonxhe.
Në aktivitetin për programin “Urat e reja për Shqipërinë 2030”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj foli për projektet që kanë transformuar Tiranën në dekadën e fundit. Ai u shpreh se Tirana, dikur një qytet i izoluar, sot ka evoluar në një qendër të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe turistik, me infrastrukturë moderne dhe hapësira publike të standardeve europiane.
Një simbol i ndryshimit të madh që ka ndodhur në Tiranë, sipas tij është zona që rrethon stadiumin “Selman Stërmasi”. “Kur e filluam këtë detyrë, ky stadium ishte një parkim i madh autobusësh dhe një vend ku shiteshin makina të përdorura. Sot duket si një përrallë nga e kaluara. Ai ishte imazhi ynë në ato kohë dhe ai ishte imazhi që na ishte bërë si rutinë, ishim mësuar me të keqen dhe bashkëjetonim me të shëmtuarën. Por, falë vizionit të Kryeministrit dhe gjithë asaj pune të jashtëzakonshme që është bërë në Tiranë, sot kemi provuar se, nga vendi më i izoluar i Europës, të jemi qendër e turizmit”, tha ai.
Veliaj tha se stadiumi “Selman Stërmasi” është ndërtuar në vitin 1955, si një replikë e stadiumeve sovjetike të kohës. “Përpara se të fillojë histeria, siç fillon për çdo projekt, është shumë e rëndësishme të kuptojmë faktet: cila është vlera arkitekturore? Në qoftë se te ‘Qemal Stafa’ kishin vlerë shkallaret dhe gurët, të cilat arkitekti Marco Casamonti arriti t’i rikthente siç ishin në projektin e ri, sot te stadiumi ‘Selman Stërmasi’ nuk kemi asgjë të kësaj natyre. Por, për të gjithë tifozët e Tiranës dua të sqaroj se ky stadium është pronë e bashkisë, por administrohet nga klubi, i cili ka arritur në përfundimin se fiton më shumë para duke ia dhënë stadiumin për cirk dhe festa birre një kompanie, se sa nëse do ta përdorte edhe për stadium. Klubi i Tiranës sot është më kail të luajë në Lushnje, se sa në Tiranë, pikërisht se ka ai më shumë leverdi për ta trajtuar si një kamping për festat e birrës dhe të qoftes. Nuk jam kundër këtyre, thjesht nuk më duket mënyra më efiçente për të përdorur një stadium”, deklaroi kryebashkiaku.
Ai kujtoi edhe gjendjen ku ishte stadiumi “Qemal Stafa”, para se të transformohej në strukturën e jashtëzakonshme që është sot. “Ishte shndërruar në një gomisteri, ndoshta gomisteria për ndërrim vaji e filtra më i madhe në Republikë. Kurse sot ‘Arena Kombëtare’ është një qendër e madhe IT, ka një stacion të rëndësishëm të radios, restorante, hapësira për median. Ka edhe një fushë të gjelbër ku luhet futboll, por ne shkuam nga koncepti i përdorimit të fushës së futbollit një herë në javë, në një stadium që sot është shopping center dhe ka shumë shërbime të tjera 24/7”, shtoi Veliaj. E njëjta gjë, tha ai, ka ndodhur edhe me zhvillimin e Pazarit të Ri, si një projekt që ka ndryshuar rrënjësisht realitetin dhe vlerën e pronës në atë zonë.
Kryebashkiaku theksoi ndryshimet që kanë ndodhur edhe në ekonominë e qytetit. “Para 10 vitesh zbuluam se në Tiranë, në fillim të qeverisjes së Kryeministrit Rama, 25% e ekonomisë së Tiranës ishte tekstil dhe 25% fasoneri për këpucë. Kjo do të thotë se bënim punë që paguanin shumë pak. Kurse sot 25% e ekonomisë së Tiranës është turizëm dhe 25% është IT”, u shpreh ai. Ky ndryshim, theksoi Veliaj, është një dëshmi e fuqisë transformuese, që investimet dhe politikat e zhvillimit mund të kenë në një qytet dhe vend.
Programi “Urat e reja për Shqipërinë 2030” është një program i ri zhvillimi i pronave publike, për të ndërtuar përmes partneriteteve me sipërmarrjen private vepra të reja të infrastrukturës publike, administrative, turistike, kulturore e sociale.
Top Channel