Shqiptari i shumëkërkuar Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi u ekstradua sot nga Turqia.
45-vjeçari rezulton të jetë shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Në vitin 2020, GjKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, ”Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Shtetasi Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin Gentan Doçaj, ka urdhëruar rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga, pasi dyshonte se në vitin 2019, vëllai i Prengës, kishte vjedhur në Angli, një kontenier me lëndë narkotike në pronësi të 45-vjeçarit dhe bashkëpunëtorit të tij;
Në vitin 2015, Gjykata e Fierit e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”;
Në vitin 2013, është dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda, me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Më datë 06.10.1999, në një lokal në Krujë, 45-vjeçari, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka vrarë me armë zjarri, shtetasin Durim Kasmi, si dhe ka plagosur pronarin e lokalit, shtetasin R. B., i cili ka humbur jetën më pas në spital.
Në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Apelit e Firences, Itali, me 16 vjet burgim, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për trafikim të lëndëve narkotike.
Shtetasi Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi është arratisur nga vendi i vuajtjes së këtij dënimi, në Firence. Nga ky dënim i kanë mbetur për të vuajtur 13 vjet, 8 muaj dhe 6 ditë burgim.
Turqia e miratoi ekstradimin në Shqipëri të Dritan Rexhepit në shkurt të 2024-ës, i cili u arrestua në Stamboll në muajin nëntor të vitit 2023.
Mëngjesi i 10 nëntorit e gjeti bosin e narkotrafikut shqiptar Dritan Rexhepi të prangosur në një vilë në Turqi vend, në të cilin ai kishte hyrë përmes një pasaporte kolumbiane të falsifikuar të regjistruar në emrin e Benjamin Omar Perez Garcia.
Në Shqipëri Dritan Rexhepi po gjykohet në mungesë në Gjykatën e Posaçme si porositës i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës, në 17 janar të vitit 2020.
I konsideruar si mjeshtri i arratisjeve nga burgjet shqiptare, italiane dhe belge, Dritan Rexhepi në mars të 2006-ës, u shpall fajtor dhe u dënua me 25 vite burg në mungesë për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keçi e Durim Kasmi në vitin 1998.
Shqiptari më i kërkuar në botë, Dritan (Gramos) Rexhepi, i arratisur nga burgjet e tri shteteve është cilësuar si vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri. Ai akuzohet në Shqipëri për vrasjen e dy policëve. Emri i tij lidhet edhe me rrëmbimin e Jan Prengës në Kamëz në janar të 2020, pasi vëllai i tij Astrit Prenga dyshohet se vodhi një sasi të konsiderueshme kokaine në Angli që vinte nga Amerika Latine, dhe që i përkiste pikërisht Rexhepit. Rexhepi është lideri i një karteli droge, i cili ka trafikuar kokainë me vlerë qindra milionë euro nga Amerika e Jugut në Evropë. Trafiku i Rexhepit i cili nisi në vitin 2014, ndërsa “Kompania Bello”, të cilin ai e drejtonte përbëhej nga 14 banda kriminale shqiptare të përfshira në trafikun e drogës.
Top Channel