Sherri me sende të forta në Sarandë, lihen në burg dy policët, “detyrim paraqitje’ për gjashtë të tjerët

05/01/2025 18:29

Gjykata e Sarandës ka lënë në burg dy nga policët e përfshirë në ngjarjen e datës 2 janar në fshatin Gjashtë ndërsa ka lënë në liri me kusht 6 të ndaluarit e tjerë.

Seanca për 8 të dyshuarit ka zgjatur rreth 5 orë dhe u shqyrtuan provat për plagosje me sende të forta si dhe tentativa për vrasje me armë zjarri ndaj shtetasve

Enea dhe Albion Nexhipi vëllezër mes tyre. Efektivët e policisë Alvaro, Ilkid, Mihal dhe Ergis Sulejmani si dhe Kejvis Sulejmani, Shemsho Sulejmani, Kristjan Xhaferi e Delars Duka janë sjellë në gjykatë nën masa të rrepta sigurie të shoqëruar nga forcat “Shqiponja” të Komisariarit të Policisë Sarandë dhe një skuadër e FNSH.

Prokurorja Silvana Belishta ka renditur  akuzat individuale për secilin nga të dyshuarit. Akuzat më serioze rëndojnë mbi efektivin Alvaro Sulejmani. Prokuroria  ka kërkuar  vlerësimin të ligjshëm të ndalimin dhe caktimin e masës  së sigurisë “Arrest në burg” për këtë të fundit dhe vëllanë e tij Ilkid Sulejmani dhe “detyrim paraqitje” për gjithë të tjerët. Akuzat ndaj tyre, ishin për “plagosje të lehtë me dashje”, “kanosje”, “kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “shkatërrim i pronës” e “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”. Për veprën vrasje e mbetur në tentativë  prokuroria ka akuzuar vetëm efektivin e policisë Alvaro Sulejmani, 36 vjeç me detyrë  SPZ në Komisariatin e Policisë Himarë.

Gjyqtari Mexhit Doçi ka vendosur pranimin e kërkesës së prokurorisë, për dy efektivët dhe ka lënë në detyrim paraqitjeje  6 të dyshuarit e tjerë mes të cilëve një efektiv policie dhe një student i Akademisë  së Policisë.

Avokatët  mbrojtës Arben Llangozi dhe Gjergj Imeraj deklaruan se nga provat e administruara, nuk kishte fakte që mund të implikojnë ndonjë prej të dyshuarve në krime aq të rënda sa u akuzuan nga prokuroria.

Ngjarja besohet se nisi pas konfliktit për një borxh  që familjarët e autorëve pretendonin prej të dëmtuarve.  Alvaro Sulejmani u  shpreh në gjyq se ka pasur njohje të mëparshme me viktimat dhe se është penduar për çka ka ndodhur ndërsa avokatët deklaruan se do ta apelojnë vendimin.

Në kërkim për ngjarjen vijojnë të jenë edhe dy persona të tjerë mes të cilëve një ish-efektiv i Komisariatit të Policisë Sarandë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA