Spitali “Evangelismos” (Ungjillëzimi) ku kurohet prej së premtes në mbrëmje Fortlumturia e tij Anastas, ka lëshuar një deklaratë mjekësore në lidhje me shëndetin e Kryepeshkopit të Shqipërisë, ku ndër të tjera thuhet se pavarësisht historisë së tij të rënduar mjekësore, gjendja e tij konsiderohet e qëndrueshme dhe po i nënshtrohet analizave të nevojshme mjekësore.
Hierarku 95-vjeçar mbërriti mbrëmjen e djeshme nga kryeqyteti shqiptar drejt Athinës me një avion të forcave ajrore C27. Ai ishte i shtruar në spitalin e Tiranës që prej datës 30 dhjetor me simptoma virusale, ndërsa gjatë transportimit të tij pësoi edhe një hemorragji gastrike.
Në spitalin Evangelismos ai po trajtohet në kushte intensive, në një pavion të veçantë, por pa qenë në intubim. Tekstualisht në raportin mjekësor për mediat që publikoi drejtoria e spitalit thuhet: “Fortlumturia i bekuar i Shqipërisë z. Anastas u shtrua më 3 janar 2025, në spitalin “Evangelismos” (Ungjillëzimi) ,gjatë orëve në të cilat spitali priste pacientë.
Gjendja e tij shëndetësore, pavarësisht historisë tashmë të rënduar mjekësore, konsiderohet e qëndrueshme dhe monitorohet nga afër nga ekipi mjekësor i Spitalit nën drejtimin e profesoreshës së Pulmologjisë dhe Mjekimit Intensiv znj. Anastasia Kotanidou.
Fortlumturia e tij po i nënshtrohet ekzaminimeve të nevojshme mjekësore dhe po merr kujdesin e duhur”.
Vlen të përmendet se mbërritja e tij në Athinë dhe trajtimi mjekësor mbulohen intensivisht me reportazhe nga të gjitha mediat greke.
Top Channel