Gjykata e Apelit të Posaçëm vendosi detyrim paraqitje dy herë në muaj për kryedemokratin Sali Berisha.
Ai duhet të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha. “Të paraqitet përpara oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar“, thuhet në njoftimin e GJKKO-së.
Seanca për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për rikthimin e Berishës në arrest shtëpie, u drejtua nga gjyqtari i posaçëm, Engert Pëllumbi, ndërsa i pranishëm ishte dhe avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj.
Gjatë seancës që zgjati një orë e gjysmë, avokatët e Berishës kërkuan lënien në fuqi të heqjes së masës qe kishte vendosur Shkalla e Parë. Nga ana tjetër, SPAK kërkoi rrëzimin e kësaj kërkese. Në fund, gjyqtari vendosi për masën ‘detyrim paraqitje’.
Pas kësaj seance, Gjokutaj hodhi akuza ndaj Apelit të GJKKO-së dhe u shpreh se vendimi i marrë nuk është i qartë. “Na duhet vendimi i zbardhur”, tha ai.
Tre javë më parë, SPAK apeloi në Apelin e Posaçëm lirimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga arresti shtëpiak dhe kërkoi rikthimin e masës. Berisha u lirua në 27 nëntor 2024 pas qëndrimit për rreth 1 vit në arrest shtëpiak, pasi akuzohej si i përfshirë në dosjen “Partizani”.
Sali Berisha u mor i pandehur për korrupsion pasiv pasi akuzohet nga SPAK se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsioni pasiv, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin, privatizuan kompleksin Partizani, që i solli familjes miliona euro përfitime. Malltezi akuzohet dhe për pastrim parash nga Prokuroria e Posaçme.
Për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” akuzohet edhe biznesmeni Fatmir Bektashi për korrupsion aktiv, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i “Homeplan” për pastrim parash, ndërsa Andia Pustina, financierja që kreu operacionet financiare e ligjore të “Homeplan”, akuzohet për pastrim parash.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 03.01.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 276 akti, datë 26.12.2024 regjistrimi, dhe vendosi:
Top Channel