SPAK dërgoi për gjykim tri ‘kokat’ e grupit kriminal që trafikonin drogë në disa qytete të Francës.
Ata janë: Redian (alias Refik) Doda – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:
i. “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal më shumë se një herë në 5 episode (të datave 22.01.2023, 17.02.2023, 08.03.2023, 13.03.2023 si dhe 18.06.2024), parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
ii. “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 287/1 gërmat “a”, “b”, dhe 28/4 në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
iii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
Zabit (alias Artur) Fisniku – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:
i. Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal më shumë se një herë në 3 episode (më konkretisht të datave 22.01.2023, 17.02.2023 dhe 13.03.2023), parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
ii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
Fabi Isaku – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:
i. Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 3 (tre) episode (më konkretisht të datave 22.01.2023, 17.02.2023 si dhe 13.03.2023), parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
ii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
Sipas SPAK, nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për këtë procedim penal, së bashku me autoritetet franceze të drejtësisë janë administruar prova mbi bazën e të cilave ka rezultuar se gjatë periudhës gusht-dhjetor të vitit 2022, autoritetet franceze të drejtësisë kanë filluar një hetim në qarkun e Albertville (73), lidhur me veprimet e një grupi të organizuar kriminal, i cili është marrë me trafikun e drogës.
Kjo strukturë ishte e vendosur në qarkun e Lionit dhe furnizonte grupet e shitjes që ndodheshin në qarkun e Savojës (73) dhe Savojës së sipërme (74). Juridiksioni ndërkrahinor i posaçëm i Lionit ka marrë përsipër dosjen dhe ka hapur një hetim gjyqësor, drejtimi i të cilit i është besuar Seksionit të Kërkimeve të Lionit.
Hetimet bënë të mundur të vërtetohen dërgesat me lëndë narkotike pothuajse ditore tek grupet e shitjes në qarqet e Rhone (69), Ain (01), Savojë (73) dhe Savojës së sipërme (74) nga një nënshtetas shqiptar që jetonte në periferi të Lionit (69).
Nga hetimet e përbashkëta është bërë e mundur identifikimi dhe procedimi në Francë dhe në Shqipëri i 19 personave (shtetas shqiptarë dhe të huaj), të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve.
Bazuar në hetimet e kryera janë identifikuar si drejtues të pandehurit Redian (alias Refik) Doda, Zabit (alias Artur) Fisniku, ndërsa i pandehuri Fabi Isaku, dhe bashkëpunëtorët e tjerë të proceduar dhe gjykuar në Francë kanë patur rolin e ndihmësve.
Top Channel