Auron Tare në qytezën e Tom Stefanit, shqiptarit në krye të misionit amerikan në Luftën e Dytë: I martuar me mbesën e Mithatit, vdiq rrugëve të Los Angelos i braktisur

28/12/2024 21:38

Nga Auron Tare

Teksa mbushja makinën me benzinë, në një dalje të rastësishme në autostradën drejt kufirit kanadez, vura re se tabela e qytezës ku kisha ndaluar shkruante Laconia.

Çuditshëm, dukej sikur një forcë e pa njohur më kishte shtyrë të ndaloja pikërisht në Laconia. Nje qytezë e vogël në shtetin e New Hampshire vendosur buzë një liqeni rrethuar me pisha te larta. Një nga ato provincat e shumta amerikane, ku jeta rridhte ngadalë dhe shtëpizat prej druri mbuluar nga bora të jepnin përshtypjen se asgjë nuk ndodhte prej kohësh.

Laconia është vendlindja e një personazhi me origjinë shqiptare pak i njohur, por mjaft i rëndësishëm për një nga periudhat me ndikim në historinë e Shqipërisë. Lufta e Dytë Botërore. Pikërisht këtu në këtë qytezë të fjetur lindi në 1917 Thoma Eftimi Stefani. Djali i vetëm midis 3 motrave. Ardhur nga fshatrat e Korçës, familja Stefani në fillim të 1900 ishte vendosur në këtë qytezë të humbur amerikane për të filluar një jetë të re.

Kam shfletuar me qindra dokumente të Luftës së Dyte Botërore kur Misioni Amerikan u vendos pranë Shtabit të Enver Hoxhës në 1943. Tom Stefanit i zgjedhur si Kryetar i këtij Misioni bënte lidhjen e shtabit amerikan të vendosur në Bari me ushtrinë partizane. Ende të pa botuara një pjese e madhe e këtij dokumentacioni gjendet në arkivat amerikane në Washington.

Kurioz për qytezën ku familja korçare Stefani kishte ndërtuar jetën e vet mbi 100 vjet më parë, mora një kafe në dorë dhe vendosa te shikoj në se kishte ndonjë gjurmë të jetës së Tom Stefanit.
Dija se familja Stefani kishte pasur një dyqan të vogël ku shiste mallra të ndryshme. Adresa e shkruar në dokumentet e Stefanit ishte kollaj për t’u gjetur. Në një rrugë të ngushte afër qendrës së qytezës, Godina e dyqanit Stefani ishte ende në këmbë. Tabela përjashta tregonte se i përkiste një dentist, i cili kryente shërbime edhe në raste emergjence. Me shumë mundësi, kati i dytë ishte shtëpia ku ishte rritur Thomai (Tom)

Laconia në vitet 1930 kishte pasur vetëm një shkollë të mesme. Një godinë e bukur e ndërtuar me gur të kuq. E gjeta me një herë. Ishte ruajtur dhe shndërruar në Gjykatën e Qytetit. Kisha ortodokse ku me siguri familja Stefani ishte anëtare e rregullt ishte në krahun e kundërt të shkollës. Distanca midis Shkollës se Mesme dhe Kishës ortodokse në Laconia ishte jo më shumë se 1 km. Diku në mes të saj kishte qenë dyqani i Eftimi Stefanit dhe shtëpia e tyre, ku Tom Stefani kishte lindur dhe kishte banuar për një kohë të gjatë. Hapësira përkundruall dikur një fushe me bar pranë liqenit ishte tashmë pjesë e Hotelit Best Western. Por, Qendra e Qytezes nuk kishte pësuar ndryshime të medha që nga vitet 30. Ne 1946, kur Tom Stefani ishte kthyer nga aventura e tij shqiptare në shtëpinë e vogël në Laconia, kishte sjelle me vete edhe një zonjushë elegante. Bashkëshortja e tij Lulu Vrioni.

Laconia, një provincë e vogël me shumë mundësi i kishte lënë një përshtypje të thellë si një vend i humbur Lulu Vrionit, një prej zonjushave më të edukuara të pasura dhe mjaft liberale për kohën të kryeqytetit shqiptar, Tirana. Laconia provinciale me dyqane te vogla, e fjetur dhe pa asnjë mundësi për një personazh si Vrioni me siguri kishte shtuar zhgënjimin e saj për zgjedhjen e bërë në Tiranë, ku e rrethuar nga admiruesit e shumtë dhe oficerët e misioneve të huaja ishte martuar në fshehtësi me Tom Stefanin. Kryetarin e Misionit Ushtarak Amerikan në Shqipëri. Aureola e një oficeri te rëndësishëm amerikan në Tiranën e pas luftës tashmë ishte zhvlerësuar në Laconia provincial pa asnjë të ardhme për bashkëshortin e saj civil.

Në ato pak informacione që ka për jetën e Stefanit pas kthimit në Amerikë mund të kuptosh zhgënjimin e tij nga jeta që gjeti. Tashmë, një oficeri i demobilizuar nga ushtria ish-anëtari i shërbimit inteligjent amerikan OSS, i cili për dy vite me radhë ishte rrethuar nga një jetë plot shkëlqim në Shqipëri, nuk përshtatej më në jetën civile. I mësuar të ishte në qendër të vëmendjes, i rrethuar nga politikanë të rinj dhe të vjetër që kërkonin vëmendjen e tij në hollin e Hotel Dajtit. I veshur me uniformën e shkëlqyer të një oficeri amerikan që rrezatonte fuqi. I përkëdhelur nga një prej vajzave të aristokracisë shqiptare tashmë në Laconian provincial i papunë pa uniformën ushtarake dhe me një bashkëshorte e zhgënjyer nga jeta amerikane, Tom Stefani filloi te pinte. Emri i tij përmendet për një moment në dëshminë e policisë amerikane mbi vdekjen e Mithat Frashërit në New York. Stefani dhe Lulu Vrioni, (mbesa e Mithatit) ishin personat e parë që kishin gjetur trupin e pajetë të liderit të opozitës antikomuniste në dhomën e hotelit. Përse Tom Stefani kishte ndodhur pranë Mithat Frasherit në ato momente nuk ka asnjë dëshmi. Ndoshta ky ishte edhe një nga momentet e fundit që Stefani dhe Lulu Vrioni ishin ende bashkë.

Ka shumë pak informacion se çfarë jete bënte Tom Stefani në fillimet e viteve ’50. Disa nga miqtë e dikurshëm të aventurës shqiptare e përmendin si një person i papunë pa një adresë fikse dhe pa asnjë mundësi jetese të sigurtë. Jetonte me një pension minimal të marrë nga ushtria. Lulu Vrioni e vendosur në DC si spikere në Zërin e Amerikës ka kohë që është larguar prej tij.

Kapiteni i OSS John Hudson që kishte ardhur me Mision në Shqipëri në 1944, në një intervistë me mua për Top Channel, kur e pyeta se përse ekspertiza e Tom Stefanit nuk u përdor nga shërbimet amerikane që po kryenin një sërë misionesh kundër Shqipërisë komuniste në vitet 50-te u shpreh se “në atë kohë kishte një përshtypje se ai (Tom Stefani) kishte qene mjaft afërt me liderin komunist Hoxha gjatë Misionit të tij në Shqipëri”.

Vite më parë, në një bisede telefonike me anëtarin e fundit të Misionit Amerikan në Shqipëri Nik Kukich, ai më tha se Stefani e kishte vizituar atë në qytetin ku jetonte diku nga fillimi i viteve ’50. “Ishte shume I deshperuar nga jeta qe bente dhe ndarja me Vrionin” – me tha Kukich me një zë si të shuar nga mosha. Nik Kukich më tha se edhe kishte kaluar shumë kohë nga ato vite dhe kujtesa e tij ishte shumë e dobët. Kur e pyeta nëse kishte ndonjë detaj me tha se nuk i kujtohej asgjë. I biri i Nik Kukich, i cili mundësoi këtë bisedë të shkurtër më tha se pasi pak kthimit nga Shqipëria në 1946, i ati kishte vendosur të harronte çdo gjë. Nuk donte të fliste fare mbi vitet e tija si oficer i inteligjencës amerikane në Shqipëri. Sa herë që mund të binte fjala për vitet e tij në luftë, babai nuk foli kurrë se çfarë roli apo misioni pati në Shqipëri. Dukshëm kishte kaluar një traumë.

E çuditshme si dëshmi, por kjo telefonatë m’u kujtua teksa po kërkoja varrezën që prehej Tom Stefani.
Varrezat ishin shumë pranë ish-shkollës, ku kishte kaluar rininë e tij. Me një shpresë të vagulltë se mund të gjeja gurrvarrin e Stefanit u enda një copë herë mes parcelave të rregullta. Bora kishte mbuluar një pjesë të mire të varrezës dhe vërdalle kishte vetëm korba të zinj qv klithnin pa pushim.

Tom Stefani u gjet i vdekur në rrugë në Los Angeles nga policia vendase në shtator të 1959. Nuk kishte asnjë adrese banimi dhe asgjë që të vërtetonte se jetonte diku. Me shumë mundësi kishte kohë që jetonte në rrugë dhe ishte i alkolizuar. Pas identifikimit, nëpërmjet një shoqate bamirëse u mundësua sjellja e tij në qytetin e lindjes Laconia. Sipas dëshmive të pakta, në varrim ishin vetëm 3 motrat me emër të amerikanizuar dhe shumë pak miq të familjes në Laconia. Asnjë nga ish-miqtë e tij të dikurshëm të OSS, as Lulu Vrioni dhe askush nga ushtria nuk kishte qene prezent për t’i dhënë lamtumiren e fundit. Duhej te kishte qenë një varrim i trishtueshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA