Qeveria kineze vendosi sanksione ndaj shtatë kompanive të premten, si kundërpërgjigje ndaj njoftimeve të fundit të Shteteve të Bashkuara se do t’i shesë Tajvanit pajisje ushtarake si dhe do t’i ofrojë të tjera ndihma në këtë sektor.
Tajvani është një ishull që vetëqeveriset që Kina pretendon se është pjesë e territorit të saj.
Sanksionet vijnë edhe si përgjigje ndaj miratimit së fundmi të buxhetit vjetor të shpenzimeve për mbrojtjen nga ana e qeverisë amerikane, që siç u shpreh në një deklaratë ministria e Jashtme kineze “përfshin qëndrime të shumta negative për Kinën”.
Kina kundërshton ndihmën amerikane për Tajvanin dhe shpesh vendos sanksione ndaj kompanive që kanë lidhje me to, zakonisht pasi shpallen produktet që do të shiten apo paketat e ndihmave.
Në përgjithësi sanksionet kanë ndikim të kufizuar, sepse kompanitë amerikane të mbrojtjes nuk i shesin armë ose mjete të tjera ushtarake Kinës. SHBA është furnizuesi kryesor me armë i Tajvanit.
Shtatë kompanitë e sanksionuara janë: Insitu Inc., Hudson Technologies Co., Saronic Technologies, Inc., Raytheon Canada, Raytheon Australia, Aerkomm Inc. dhe Oceaneering International Inc., thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
Çdo pasuri e tyre në Kinë do të ngrihet, ndërsa organizatave dhe shtetasve kinezë u ndalohet përfshirja në ndonjë aktivitetet me këto kompani, thuhet në komunikatë.
Presidenti amerikan Joe Biden javën e kaluar autorizoi deri në 571 milionë dollarë për materiale dhe shërbime të Departamentit të Mbrojtjes si dhe trajnim ushtarak për Tajvanin.
Departamenti i Mbrojtjes njoftoi edhe miratimin e një pakete prej 295 milionë dollarë në armatime që do t’i shiten Tajvanit.
Projektligji amerikan i mbrojtjes rrit shpenzimet ushtarake në 895 miliardë dollarë dhe orienton burimet drejt një qasjeje më konfrontuese ndaj Kinës.
Ai krijon një fond që mund të përdoret për të dërguar burime ushtarake në Tajvan, ngjashëm siç SHBA ka mbështetur Ukrainën. Projektligji gjithashtu zgjeron një ndalesë për blerjet ushtarake amerikane të produkteve kineze, siç për shembull teknologjia e dronëve.
Zhang Xiaogang, zëdhënës i ministrisë kineze të Mbrojtjes tha në fillim të javës se SHBA po nxisin kërcënimin “e ashtuquajtur nga Kina” për të justifikuar rritjen e shpenzimeve ushtarake.
“Shpenzimet ushtarake të SHBA-së janë në krye të botës dhe vazhdojnë të rriten çdo vit. Kjo ekspozon natyrën luftarake të SHBA-së dhe obsesionin e saj me hegjemoninë dhe zgjerimin”, tha ai.
Ministria e Jashtme tha se lëvizjet e fundit të SHBA-së shkelin marrëveshjet mes dy vendeve mbi Tajvanin, ndërhyjnë në punët e brendshme të Kinës dhe minojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
Qeveria e Tajvanit tha në fillim të muajit se Kina kishte dërguar dhjetëra anije në ujërat e afërta për të kryer stërvitje për bllokimin e ishullit, një lëvizje që Tajvani tha se minon paqen dhe stabilitetin dhe dëmton transportin dhe tregtinë ndërkombëtare. Kina nuk ka konfirmuar apo komentuar këto deklarata.
/VOA
Top Channel