Denoncimi në Fiks Fare/ Si u tjetërsua shtëpia e ish-oficerëve në Durrës!

27/12/2024 20:40

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së premtes tjetërsimin e godinës dhe truallit të shtëpisë së ish-oficerëve në Durrës.

Një nga pronarët ia shet godinën dhe një pjesë të truallit pa firmën e bashkëshortes dy ndërtuesve. Në godinën e oficerëve bëhet një pallat dhe familja pronare s’ka marrë pjesën që u takon. Zvarritjet e gjykimit kanë sjellë konflikte civile, madje edhe brenda familjes. Marrëveshja vetëm me një firmë u ligjërua në një zyrë noterie, ndërsa ligji u shkel edhe nga Hipoteka që e regjistroi pronën te dy ndërtuesit. Por, jo vetëm që morën godinën, por dy ndërtuesit morën edhe truallin e godinës së ish-oficerëve, me veprime të Hipotekës dhe në disa raste edhe me vendime gjykate.

Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua Almird Pumi, i cili tha se i kanë vjedhur pronën, e cila ndodhet në Durrës në lagjen nr.1. “Atë pronë e ka blerë babai im në vitin 1998 me të gjitha sipas ligjit. Më pas erdhën këta personat Albert Doda dhe Jusuf Puka dhe thanë do bëjmë ne pallat dhe e përvetësuan pronën. Ne s’ishim keq të merrnim dy hyrje se kishim shtëpi, pastaj ndodhën këto rrëmujat. Ne ikim në Itali dhe nëna ime Luljeta Pumi s’ka firmosur fare atë marrëveshje dhe babai im Selim Pumi është mashtruar nga këta të dy” thotë Almirdi.

Më tej sqaron se marrëveshja është bërë në vitin 1999. “Nëna ime s’ka firmosur dhe i gjithë faji është te këto gjëra dhe këta kanë mashtruar. Ajo pronë figuron e regjistruar në emër të këtyre dy personave. Kanë 24 e ca vite që e shfrytëzojnë. Ne pritëm drejtësinë e re, ndaj pritëm kaq gjatë. Prona ishte rreth 2500 metra katrorë. Nga e gjitha kjo pronë ne kemi marrë vetëm dy hyrje. Ata s’kanë zbatuar as koeficientin, që koeficienti duhet të ishte minimumi 30 %. Po nejse në atë kohë mund të ketë qenë edhe 25 %. Ata na e kanë marrë komplet, mirë pallatin po ç’punë kishin me pronën. E kanë marrë truallin dhe pronën dhe e kanë regjistruar pa firmën e nënës time. Në çdo proces gjyqësor, ndërhyjnë, vonesa jo s’jam e jam. Ndaj prita drejtësinë e re” thotë Almirdi.

Fiks Fare ka siguruar të gjithë praktikën e regjistrimit të pronës në Kadastër, ku figuron edhe marrëveshja e vitit 1999. Në dokumentin e shitjes është vetëm firma e Selim Pumit, i cili në atë kohë ishte i martuar. Fiksi bisedoi edhe me avokatin Shkëlqim Sulo, i cili tha se familja e përbërë nga Selim Pumi dhe dy fëmijët e tij, në vitin 1999 kanë marrë 4 prona të patundshme ish-shtëpia e oficerëve në Durrës. “Në atë kohë ata kanë qenë të emigruar në Itali. Selim Pumi ka bërë një kontratë me Albert Doda dhe Jusuf Puka një kontratë për shitje pasurie pranë noteres Shpresa Skrame, në vitin 1999. Kjo kontratë është bërë pa dijeninë e bashkëshortes së tij Luljana Pumi. Te kjo kontratë kanë firmosur vetëm këta të tre” tha avokati.

Sipas tij, në periudhën e firmosjes Luljeta dhe dy fëmijët kanë qenë në Itali. “Blerësit e kanë zhvilluar pronën dhe më pas vazhduan duke blerë truallin. Kjo shtetase s’ka pasur dijeni fare. Është kthyer në Shqipëri dhe është interesuar te Hipoteka dhe s’ka marrë përgjigje asnjëherë. Ka parë pronën që janë bërë disa njësi shërbimi, ka kontaktuar me personat blerës dhe të tjerë që merrnin pjesë nga ana ligjore dhe për këtë problem ka pasur konflikt të madh familjar. Ata janë martuar në vitin 1967” vijon avokati.

Kodi i Familjes përcakton se të gjitha pasuritë dhe sendet e paluajtshme absolutisht për t’u tjetërsuar duhet të merret mirëkuptimi mes dy bashkëshorteve. Kjo marrëveshje shkoi edhe në Kadastër, nga dy blerësit. Ata kanë edhe procese civile për ndarje pasurie. Në atë kohë ata morën vetëm godinën e ish oficerëve dhe më pas morën truallin me veprime të tyre.

“Ne i jemi drejtuar edhe organit të prokurorisë me nenin 143 që është mashtrimi. Kadastra apo Hipoteka e atëhershme duhet të kishte kërkuar dokumentet e plota, pasi firmosi vetëm një person dhe prona ishte në bashkëpronësi” shton avokati. Gazetarët e pyesin si u bë marrëveshja te noterja, teksa ai thotë se në këtë rast kemi një shkelje. “Noterja quhet Shpresa Skrame dhe nga informacionet që kam ajo ka dalë në pension dhe arkiva e saj i ka kaluar një notereje tjetër. Ata s’kanë përfituar absolutisht asnjë gjë, ndihen të mashtruar. Aty është ndërtuar, është bërë pallat, njësi shërbimi dhe po përdoren nga dy blerësit. janë shitur dhe në disa raste te persona të tretë këto pasuri. Nga e gjitha kjo shtetësja Luljana Pumi ka probleme të mëdha shëndetësore, ndaj nuk erdhi dot vetë të ankohej” përfundon avokati.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA