Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hedhur dyshime se dosja ndaj kryebashkiakut Veliaj është përgatitur nga kryeministri Rama.
Në konferencën për mediat ai tha se askush përveç kryeministrit nuk mund të mbledhë informacione dhe dokumente që nga viti 2004 dhe që kanë të bëjnë me të dhënat e TIMS, faturat e hoteleve dhe udhëtimeve.
“Pse u mbaj, pse u denatyrua ky, ka 5 orë. Dhe është sjellë në mënyrë harbutshme dhe pastaj e kanë zbutur se i kanë nxjerrë dokumentet e atij Nestit. Dosja Nesti nuk ka asnjë lidhje me këto që ju thashë unë ju. Jo asnjë lidhje. Kush është ai që mund të çojë dosjen me të dhëna TIMS, me regjistrime, me fatura hotelesh, udhëtimesh fabuloze, një avion fantazëm i 2004-2011-2014 me të cilin ka udhëtuar Veliajt. Këto nuk mund t’i çojë asnjeri tjetër në Shqipëri, përveç Edi Ramës. Nesti është Edi Rama”, tha Berisha.
Sipas tij “nga të dhënat që kam unë nga ajo dosje, ajo mund të përpilohet jo nga 1, por nga disa institucione shtetërore së bashku dhe këtë fuqi e ka vetëm kryeministri dhe askush tjetër, asnjë njeri tjetër. Nuk ka asnjë lidhje me kushtetutë dhe ligj zv/kryeministrja e SHISH. Nuk ka asnjë lidhje me kushtetutë dhe ligj zv/kryeministrja me sekretet e Ministrisë së Brendshme”.
Por teksa aludoi se kryeministri ka përgatitur dosjen për kryebashkiakun Veliaj, Berisha mori në mbrojtje Arben Ahmetajn për të cilin tha se ka mbrojtur Kushtetutën.
“Altin Dumani zgjodhi të lëshojë mandat arresti për Arben Ahmetaj i cili mbi bazën e dokumenteve zyrtare e ka kundërshtuar katër herë ndërtimin e djegësit të Tiranës dhe herën e fundit, ka shkruajtur ‘no coment’ pasi Erion Veliaj kishte firmosur se Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar financimin e tij. Jo vetëm këshilli bashkiak, por edhe këshilli i qarkut të Tiranës.
Në këto kushte, ju garantoj se Arben Ahmetaj ka qenë në mbrojtje të kushtetutës së vendit. Pse? Sepse kushtetuta nuk lejon qeverinë qendrore të ndërhyjë në asnjë projekt që merr përsipër të financojë qeveria lokale, përveç se projekte që mund të kenë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe që në këtë rast është spiral i tërë veprimesh që duhen krye për të frenuar një projekt që kërcënon sigurinë kombëtare. Pra ‘no comment’ i Arben Ahmetaj ka qenë respekt i Kushtetutës”, tha më tej Berisha.
Top Channel