Falsifikonte diploma, pasaporta dhe vula/ Prokuroria Korçë dërgon në gjyq pronarin e ‘laboratorit të prodhimit të dokumenteve të falsifikuara’

26/12/2024 12:36

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin A.R. për tetë vepra penale.

Ai akuzohet për veprat ‘Falsifikimi i dokumenteve’, ‘Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave’, ‘Falsifikimi i vulave’, etj, si dhe ‘Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale’ apo ‘Largimi i të burgosurit nga vendi qëndrimit’.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi A.R. në bashkëpunim me persona të tjerë, kryenin veprimtari të paligjshme në fushën e falsifikimit.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, provoi se ky shtetas dispononte një laborator me të gjitha pajisjet e nevojshme për fabrikimin e dokumenteve në mënyrë të jashtëligjshme, në një apartament të ndodhur në Rr. “28 Nëntori”.

Ky shtetas, falsifikonte letërnjoftime, pasaporta, dokumenta zyrtare dhe së fundmi dhe kartëmonedha shqiptare dhe të valutave të huaja, të cilat i tregtonin për një çmim 15 – 20% të vlerës së tyre. Madje ai e vijoi këtë aktivitet të paligjshëm edhe pas masës së sigurisë ‘Arrest në shtëpi’, duke vijuar me të njëjtin aktivitet për të cilin ishte nën hetim.

Me kërkesë të prokurorisë u kryen edhe veprime simuluese për blerjen e dokumenteve false kundrejt pagesës dhe pas marrjes, dokumentet iu nënshtruan ekspertimit teknik nga ku u vërtetua edhe fakti se ato ishin false.

Nga hetimet rezultoi se pasi kryhej procesi i falsifikimit, dyshohej se këto porosi i dorëzoheshin shtetasit B.D, i cili kryente rolin e ndërmjetësit duke bërë të mundur dhe kontaktin fizik me porositësin si dhe marrjen e pagesës prej tyre. Për këtë shërbim ndërmjetësimi, ky shtetas mbante një pjesë të pagesës ndërsa pjesa tjetër i shkonte falsifikatorit.

Nga kontrolli i banesës së këtij shtetasi u gjetën printera, kompjutera, prerëse dokumentesh, vula të improvizuara, pasaporta të shteteve të ndryshme të dyshuara të falsifikuara, dokumente të ndryshme të falsifikuara, bojëra për printera, etj. Prokuroria sekuestroi vula të shumta në gjuhë të ndryshme, celularë, laptopë, skanerë dhe printera e pajisje për stampime e pulla të ndryshme. Po kështu u sekuestruan pasaporta të shumta të shtetasve amerikanë, francezë, grekë, kanadezë, bullgarë, Italianë e shqiptarë, etj të cilat më pas rezultuan të vjedhura ose të humbura dhe përdoreshin si model për të kryer falsifikimin

Nga hetimet e kryera, Prokuroria arriti në përfundim se shtetasi A.R. ka falsifikuar një sasi të madhe leje drejtimi, leje qëndrimesh të shteteve të ndryshme, certifikata të aftësimit profesional, karta shëndeti për shtete të huaja si dhe një sasi mjaft të madhe letërnjoftimesh e pasaportash shqiptare dhe të shteteve të ndryshme.

Në rastin konkret, rezulton se shtetasi A. R., ka përdorur dhe falsifikuar një sasi të madhe vulash të institucioneve të ndryshme shtetërore, shqiptare dhe të huaja, të cilat i janë sekuestruar gjatë kontrollit të banesës.

Sa më sipër, nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dhe provave të administruara në kuadër të këtij procedimi, rezulton se shtetasi A. R. ka konsumuar elementët e veprave penale të “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumenteve shkollore”, tre herë, parashikuar nga neni 187/1, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 189/2 i K.Penal, “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, parashikuar nga neni 188/1 i K.Penal, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose formularëve”, më shumë se një herë, me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 190/2 i K.Penal, “Falsifikimi i akteve të gjendjes civile”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 191/2 i K.Penal, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga neni 323/1 i Kodit Penal, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, parashikuar nga neni 287/b/1 i Kodit Penal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA