Fiks Fare/ Nuk regjistron dot në Shqipëri fëmijën që i ka lindur në Itali, strumbullari është shkronja ‘ë’

25/12/2024 20:45

Erikson Mërtiri i është drejtuar emisionit Fiks Fare për një problem që nuk po e zgjidh dot.

Ai jeton në Firenze të Italisë dhe nuk regjistron dot në Shqipëri fëmijën e tij të sapolindur në Itali për shkak të shkronjës ‘ë’ që ka në mbiemër.

“Jam një prind,jetoj në Itali prej vitesh me dokumente. Para disa kohësh më erdhi në jetë një fëmijë dhe doja ta regjistroja siç regjistrova fëmijën e parë,me të gjitha dokumentet qe kërkon shteti. Dërgova një të afërmin tim për ta regjistruar në Gjendjen Civile në Tiranë, por më thanë që nuk mund të bëhet. Zonja e gjendjes civile më tha që ka dalë një udhëzim. Në të thuhet se të gjithë të porsalindurit jashtë Shqipërisë  që kanë në përmendje të emrit apo mbiemrit  shkronjën ‘ë’ dhe ‘ç’ duhet të shkruhet në certifikatën e lindjes. Mirëpo Italia nuk e ka shkronjës ‘ë’ dhe nuk mund ta shkruajnë vetëm nëse do shteti ynë që Italia ta shpiki shkronjën ‘ë'” tregon z. Mërtiri.

Ky udhëzim sipas tij penalizon shumë prindër të tjerë jashtë Shqipërisë që jetojnë në vende të ndryshme ku këto dy shkronja nuk i kanë në alfabet. Sipas Eriksonit vendimi nuk është i drejtë pasi ka të tjerë element për mënyrë identifikimi, siç janë numrat personal të prindërve. Tashmë ai ka mbetur në udhëkryq dhe pa e regjistruar djalin e vetë se udhëzimi nuk e lejon.

Fiksi iu drejtua Njësisë Bashkiake Nr. 12 ku zotëria do të regjistrojë djalin e tij. Punonjëset e gjendjes civile tregojnë udhëzimin i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2024. Udhëzimi është nga Drejtoria e Përgjithshme  e Gjendjes Civile ku thuhet: për rastet kur faktet e gjendjes civile të lëshuara nga shtetet e huaja përmbajnë pasaktësi për gërmat ‘ç’ apo ‘ë’, qytetarët duhet që të saktësojnë këto të dhëna në shtetin e origjinës. Në raste të pamundësisë së saktësimit të këtyre të dhënave, qytetarët duhet t’i drejtohen gjykatës. Këto akte do të pasqyrohen në Regjistrin e Gjendjes Civile shqiptare vetëm pas saktësimit të transkriptit të tyre.

Fiksi më pas iu drejtua Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile , ku drejtoresha Eda Shpuza referoi se ky problem është edhe për shumë shtetas të tjerë që janë në të njëjtën situatë si Eriksoni, që nga shtatori i këtij viti ku ka hyrë në fuqi edhe ky udhëzim nga ish drejtori Vangjush Stavro. z. Shpuza falenderoi Fiksin që bëri publik rastin duke premtuar zgjidhjen e këtij problemi.

Erikson Mërtiri pas ndërhyrjes së Fiks Fare regjistroi djalin e tij dhe falenderoi Fiks Fare ” Pa ju nuk e di a do e regjistroja dot djalin në vendin tim, Shqipëri”

 

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA