Një incident ka ndodhur gjatë manovrave të tragetit “AF Francesca” për t’u ankoruar në kalatë.
Helika e tij ka kapur spirancën e tragetit “Rigel III”, i cili ishte ankoruar më parë në terminalin e trageteve, paraditen e sotme. Për pasojë, helika e tragetit në hyrje, që ishte disa orë me vonesë për shkak të motit është dëmtuar.
Kjo ka diktuar vendimin që ky traget të kryejë sot një lundrim në kthim pa pasagjerë, për shkak të dëmtimit të helikës dhe kushteve të vështira atmosferike.
Sipas Kapitenerisë së Portit të Durrësit për situatën hidrometeorologjike në rajonin e Adriatikut, kushtet e përkeqësuara të motit kanë shkaktuar vonesa në mbërritjen, nisjen dhe proceset e bregëzimit të trageteve.
Ato kanë detyruar kompanitë e lundrimeve të njoftojnë se një tjetër traget i planifikuar për të lundruar sot në mesditë nga Porti i Durrësit drejt Barit, ka pezulluar nisjen deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.
Ndërsa në terminalin e kontenierëve, proceset operacionale po vijojnë normalisht, puna në terminalin e mallrave gjenerale dhe atë të rifuxhos është pezulluar përkohësisht për shkak të erës së fortë dhe reshjeve intensive.
Top Channel