Festat e fundvitit/ Mbërrijnë 12 mijë persona në Durrës, fundjavë e ngarkuar në port, emigrantët rikthehen në vendlindje

22/12/2024 15:52

Mbi 12 mijë persona kanë mbërritur këtë fundjavë në portin detar të Durrësit.

Shqiptarët e diasporës kanë nisur të kthehen, si çdo vit, për të festuar pranë të afërmve të tyre në këtë fundvit. Përveç tyre, edhe shtetas të huaj kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar ditët festive.

Gjatë paradites të së dielës, me tre tragete, dy nga linja e Barit dhe një nga Ankona, kanë mbërritur 4,536 udhëtarë dhe 1,157 automjete. Ndërkohë, në mbrëmje pritet mbërritja e dy trageteve të tjera nga Bari.

Që nga data 19 dhjetor, tragetet kanë nisur të kryejnë lundrime të dyfishta, vajtje-ardhje brenda ditës. Si pasojë, oraret e nisjes drejt Italisë në mbrëmje janë shtyrë me një orë për tragetet me dy lundrime.

Kapitaneria e portit të Durrësit ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat për përpunim të shpejtë dhe pa probleme të pasagjerëve dhe automjeteve.

Nga e premtja, më 20 dhjetor, deri në mesditën e së dielës, kanë mbërritur në portin e Durrësit 12,121 udhëtarë dhe 3,415 automjete. Fluksi pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA