Kryeministri Edi Rama në Podkastin “Flasim” kishte të ftuar skiatoren Lara Colturi, që përfaqëson Shqipërinë në kompeticionet më të rëndësishme të skive në botë, të cilën e cilësoi “Princesha e dëborës”.
“Vetëm 18 vjeç, por vjen nga majat me dëborë të botës. Lara Colturi, një italiane e lindur dhe rritur në Itali që ka vendosur të bëhet shqiptare, të vërë flamurin e Shqipërisë në gjoks dhe të garojë për Shqipërinë në ski. Edhe pse është shumë e re i ka sjellë shenjat e para të sigurta që shumë shpejt do ta shohim flamurin shqiptar të ngrihet mbi të gjithë në një disiplinë që për Shqipërinë është krejt e re, por falë Larës dhe nënës së saj mund të jetë një nga disiplinat e së ardhmes”, tha Rama duke prezantuar Lara Colturi-n.
Skiatorja Lara Colturi tha se “e morëm këtë vendim së bashku me prindërit, pasi pamë këtë mundësi për të qenë bashkë me familjen në pistë dhe për të punuar bashkë me prindërit e mi”.
Pyetjes së Kryeministrit Rama se përse e hodhi këtë hap shumë të mirëpritur, duke ardhur nga njëra anë e detit në anën tjetër dhe të merrte nënshtetësinë shqiptare, Colturi tregoi se ishte në kategorinë C në ato momente.
“Isha kategorinë e moshës 12-13-14 vjeç, kisha fituar të gjitha garat dhe menduam se ndërmarrja e një hapi të tillë do të mundësonte hapjen e të gjitha rrugëve drejt renditjes në vendet e para në e për të përjetuar atë çka po përjetoj tani, ëndrrën time së bashku me prindërit e mi duke u argëtuar gjithashtu”, u shpreh ajo.
Skiatorja italo-shqiptare Lara Colturi, u ngjit për herë të parë në podium në nëntor të këtij viti si vendi i dytë në Kupën e Botës për Ski, në garën e Obergurgl në Austri.
Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë u rendit e dyta në garën e Sllalomit vetëm 55 të qindtat pas kampiones amerikane Mikaela Shiffrin, e cila mban numrin rekord të 99 garave të fituara në Kupën e Botës.
Top Channel