Në Gjykatën e Durrësit ka nisur shqyrtimi i çështjes penale nr. 386/2024, që lidhet me vrasjen e Pëllumb Metës në Shënvlash, Durrës.
Prokuroria e Durrësit ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim pesë persona të akuzuar për përfshirjen e tyre në këtë krim të rëndë, mes të cilëve janë tre fëmijët e viktimës, nëna e tyre, dhe një person tjetër që ka ndihmuar në fshehjen e provave. Akuza për vrasje në bashkëpunim rëndon mbi vëlla e motor Hysen dhe Hygerta Meta.
Hysen Meta, një nga të akuzuarit kryesorë, përballet me akuzat për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”,”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, e kryer në bashkëpunim.
Këto akuza bazohen në nenet 79/c, 278/4 dhe 303 të Kodit Penal.
Hygerta Meta e cila ka marrë përsipër krimin akuzohet gjithashtu për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, si dhe fshehje e asgjësim të kufomës. Ndërkaq vëllai i tyre Amarildo Meta, akuzohet për “Fshehjen dhe asgjësimin e kufomës”, të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 303 të Kodit Penal.
Ndërkohë, Blerina Meta, bashkëshortja e viktimës, akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, në bazë të nenit 301 të Kodit Penal.
Në këtë çështje është përfshirë edhe Sajmon Bajramaj, pronari i automjetit të përdorur nga të pandehurit për fshehjen e provave. Ai akuzohet për “Mos kallëzim krimi”, bazuar në nenin 300 të Kodit Penal, pasi dyshohet se ka ndihmuar në largimin e makinës së viktimës në zonën e Sektor Rinia.
Seanca e parë e planifikuar për këtë çështje u shty, pasi në sallë nuk ishin të pranishëm fëmijët e arrestuar të viktimës, të cilët janë të akuzuar për vrasjen e babait në bashkëpunim dhe fshehjen e trupit dhe provave. Mungesa e tyre çoi në shtyrjen e procesit.
Sipas prokurorisë, motivet e krimit lidhen me konflikte të thella brenda familjes. Pas vrasjes, të pandehurit dyshohet se kanë bashkëpunuar për fshehjen e trupit dhe provave. Ngjarja ka tronditur opinionin publik për shkak të natyrës së saj tragjike dhe përfshirjes së gjithë familjes në këtë akt kriminal.
Gjykata pritet të vazhdojë shqyrtimin e çështjes muajin e ardhshëm, ndërsa kjo ngjarje ka nxitur reagime të forta dhe diskutime të gjera mbi konfliktet familjare dhe pasojat e tyre tragjike.
Top Channel