Është mbajtur sot Kuvendi i përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës në Prishtinë, ku të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama, kryeministri Albin Kurti.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, gjatë fjalës së tij tha se situata e sigurisë në Kosovës është e brishtë, teksa përmendi sulmet terroriste në veri.
Sakaq ai tha se “Çdo lëvizje e Kurtit është në përputhje me axhendën e Rusisë dhe Serbisë”.
“Ky takim i sotëm vërtetë është mes vëllezërve dhe motrave dhe ndaj në një takim të tillë nuk duhet fshehur e vërteta. Situata e sigurisë në Kosovë është e brishtë. Jemi sulmuar nga grupe terroriste e të armatosura.
Hapat e gabuar dhe të pakoordinuar të kryeministrit të qeverisë së Kosovës, për integrimin e serbëve të veriut, Serbia është parë si viktimë. Kosova është vend nën sanksione nga BE dhe SHBA. Kosova është në të njëjtin thes me Korenë e Veriut, nga qeveria Kurti. Na u pamundësua anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Jemi përjashtuar nga “Defender 2023”, janë ndaluar njohjet ndërkombëtare. Kurrë nuk kemi pasur marrëdhënie më të ftohta me partnerët strategjikë. Kryeministri ynë ka arritur deri aty, e ka quajtur Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, naiv.
Çdo lëvizje e Kurtit është në përputhje me axhendën e Rusisë dhe Serbisë. Marrëdhëniet me Shqipërinë këto 4 vite, gati sa nuk prekën fundin dhe secili në këtë sallë e di shkakun. Vllua te vllau shkon, e dimë që Shqipëria ka bërë kujdes dhe nuk është përfshirë në fushatat tona të brendshme zgjedhore. Kërkojmë ndihmën e Shqipërisë, për anëtarësimin në NATO dhe atë jo përmes partneritet për paqe”, tha ai.
Top Channel