“Balta më e ëmbël se mjalti”, diskutimi për komunizmin në kuadër të Festivalit të Letërsisë Europiane

14/12/2024 12:44

“Një herë e një kohë… parajsa u krijua në vendin më të përsosur socialist në botë. Aty, ku gjithçka u përkiste të gjithëve dhe asgjë nuk i përkiste askujt. Aty, ku të gjithë dinin të lexonin dhe të shkruanin, por ata mund të shkruanin vetëm ç’ka merrte autorizim dhe mund të lexonin vetëm atë që miratonin autoritetet”.

Kështu e nis librin e saj mbi komunizmin në Shqipëri shkrimtarja polake, Margo Rejmer, për të cilin iu desh të jetonte dhe punonte për një kohë të gjatë në vendin tonë.

“Para se të vija në Shqipëri, mbaj mend thënien e një antropologeje që thoshte se komunizmi në Shqipëri ishte një holokaust i vogël dhe më pas nisa të mblidhja dëshmitë. Erdha me idenë se 6 muaj ishin mjaftueshëm për të shkruar një libër… por më mori 6 vite. Shqipëria u bë pjesë e jetës sime”, thotë shkrimtarja.

Në një diskutim me lexuesit në Bibliotekën Kombëtare, në kuadër të Festivalit të Letërsisë Europiane në Tiranë, shkrimtarja ndau historitë e personazheve, që sipas saj përshkruajnë ato vite të tmerrshme dhe tregojnë se Shqipëria komuniste ishte një rast unik.

“Rrëfimet vijnë si legjenda, si përralla, ku gjithçka është bardh e zi dhe më pas histori më komplekse të të dënuarve që kanë kaluar shumë vështirësi, por përcjell dinjitet dhe mesazh”, shton ajo.

Ndërkohë, Rejmer zbuloi se vazhdon punën për një vepër të re, ku komunizmi shihet me këndvështrimin e grave. Ato janë në fokus të punës së saj aktualisht, që synon të tregojnë si ka ndryshuar roli u tyre në shoqëri pas viteve ‘90.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA