Është “goditur” në Vlorë një rrjet ndërkombëtar i trafikimit të njerëzve, ku janë vënë në pranga katër shtetas të huaj (tre ukrainas dhe një bjellorus), teksa një polak është shpallur në kërkim.
Sipas asaj që raporton policia e Vlorës, gjatë këtij operacioni u goditën dy raste të trafikimit të personave të rritur nga shteti i Ukrainës.
Pjesëtarët e këtij rrjeti trafikimi rekrutonin në vende të ndryshme të Europës, kryesisht shtetas nga Ukraina, duke i sjellë në Shqipëri, ku më pas u mbanin dokumentet e udhëtimit dhe i shfrytëzonin për të kryer veprimtari të kundërligjshme.
Personat e trafikuar detyroheshin përmes kërcënimeve dhe përdorimit të dhunës fizike dhe psikologjike, për t’u angazhuar në marketingun e rekrutimit të individëve të tjerë në vendet e Europës, duke përdorur platforma të ndryshme të rrjeteve sociale, me qëllimin për t’i shfrytëzuar më pas për veprimtari kriminale, si shpërndarja dhe trafikimi i lëndëve narkotike, që kryheshin gjithashtu në vendet europiane.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur”, kryer në bashkëpunim dhe “Kanosja”, 4 shtetas të huaj konkretisht: M. P., 27 vjeç, lindur dhe banues në Harkov, Ukrainë; N. K., 23 vjeç, lindur dhe banues në Kiev, Ukrainë; O. T., 24 vjeç, lindur dhe banues në Minsk, Bjellorusi; M. S., 22 vjeçe, lindur dhe banuese në Kiev, Ukrainë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi K. M., 35 vjeç, banues në Poloni.
Gjithashtu, raportohet se janë shoqëruar dhe 19 shtetas ukrainas, të moshës nga 18 deri në 26 vjeç, të cilët kanë qenë viktima të kësaj veprimtarie kriminale dhe janë kryer veprime procedurale me qëllim dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.
Gjatë operacionit u sekuestruan 18 laptopë, 23 pasaporta udhëtimi, 4 karta ID dhe 23 aparate celularë, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme laboratorike në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë.
Top Channel