Gjykata italiane ka dënuar me burgim të përjetshëm 23-vjeçarin, Filippo Turetta për vrasjen e ish të dashurës së tij në nëntor të vitit 2023.
23-vjeçari pranoi vrasjen e Giulia Cecchettin, 22 vjeçe, një javë para se ajo të diplomohej në Universitetin e Padovës.
Ai u shpall fajtor në një gjykatë në Venecia për vrasje, armëmbajtje pa leje, rrëmbim dhe fshehje kufome.
23-vjeçari tha se pasi e vrau e futi trupin e saj në thasë plehrash dhe më pas u arratis. Arratia e tij zgjati vetëm 10 ditë, pasi policia arriti ta kapte në Gjermani.
Kryeprokurori i çështjes, kërkoi një dënim të përjetshëm për vrasjen bazuar në rrethana rënduese, pasi autori e kishte planifikuar ngjarjen, duke blerë thika, shirit, lopatë, qese të zeza plehrash, litarë dhe një çorape të lagur për t’i mbyllur gojën viktimës.
Ai i mbajti sendet në makinën e tij për disa ditë përpara se ta joshte ish të dashurën e tij në makinën e tij duke i premtuar se nuk do ta përndiqte atë dhe se ata mund të ishin thjesht miq.
Autori është urdhëruar gjithashtu të paguajë dëmshpërblim financiar për familjen e viktimës, përveç shpenzimeve ligjore.
Gjatë seancës së dhënies së dënimit, autori nuk tregoi emocione siç raporton CNN, ndërsa babai i viktimës tha se nuk ndihet i lehtësuar aspak për këtë vendim.
Kjo ngjarje ka tronditur opinionin publik në Itali dhe ka vënë në qendër të vëmendjes dhunën ndaj grave në këtë vend.
Top Channel