Blloku i banimit në hyrje të Tiranës, që njihet ndryshe si “lagjja e Treshit”, po merr formë të re.
Kryebashkiaku Erion Veliaj,teksa inspektoi punimet për rehabilitimin e zonës, theksoi se pas përfundimit të punëve në qendër të kryeqytetit, ka ardhur koha që edhe cepi më fundor i Tiranës të ketë të njëjtat investime.
“Fakti që jemi duke punuar në të gjithë Tiranën, nga lagjja e fundit e “Freskut” te lagjja e fundit e “Treshit”, në lagjen e fundit të “Kombinatit” dhe lagjet periferike të zonave rurale, do të thotë se jemi shtrirë cep më cep. Kemi mbaruar me punimet kryesore në shkollat, kopshtet dhe çerdhet e Tiranës, po ashtu me rrugët në qendër të Tiranës dhe në unazë. Lagjet ku po investojmë më shumë tani janë lagjet, të cilat janë kryesisht në zonat kufitare ose zonat e ish-komunave”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku kërkoi mobilizim për të përfunduar punën para Vitit të Ri.
“Më në fund nuk kemi vetëm legalizim, kemi edhe urbanizim. Tani mund të themi që vërtet jetojmë në Tiranë, ku i kemi të dyja këto, edhe letrat e shtëpisë, edhe kushtet si në Tiranë. Ju jam shumë mirënjohës! Nëse do shfrytëzojmë maksimalisht ditët e festave, që ta kryejmë këtë për Vitin e Ri, kur thonë tironsit ‘që të na gjejë Viti i Ri, me rrugë të reja, me energji të reja’, do ishte e jashtëzakonshme”, u shpreh ai.
Top Channel