Julian Gjoshi, autori i vrasjes së Alfred Dedjas në Ndroq, ka pohuar para grupit hetimor se krimin e kreu pasi ndihej i ofenduar nga viktima.
“Ndihesha i ofenduar, pasi sa herë që takoheshim më shante e ofendonte. Jemi takuar edhe 10 ditë para ngjarjes dhe sërish më ka ofenduar. Ditën e ngjarjes e kam marrë unë në telefon dhe i kam thënë hajde se po të pres për kafe.
Sapo u ul e qëllova me armë. Unë atë e kam mbajtur me lekë e bukë kur punonte menaxher te Golden, pronë e familjarëve të mi. Pasi kreva vrasjen u largova menjëherë. Pistoletën e hodha jo shumë larg nga lokali, në anë të disa shkurreve”, tha 27-vjeçari.
Gjoshi është vetdorëzuar një ditë më parë në polici pas më shumë se 24 orësh në arrati.
Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në një lokal në fshatin Ndroq në Tiranë, kur 26-vjeçari u fut në ambientet ku viktima po drekonte me miq, dhe pasi ky i fundit u ngrit në këmbë për ta takuar, i riu e qëlloi me disa plumba.
Pas ngjarjes, ai është arratisur nga vendi i ngjarjes me mjetin e tij “ML”, por sipas policisë pasi janë bërë bllokimet e pikave të kalimit dhe pamundësia për të qëndruar i fshehur, është dorëzuar sot.
Ende nuk dihen arsyet se përse i riu kreu vrasjen, ndërsa dyshime hidhen për prishje pazaresh droge, dhe se ata ishin miq më herët.
Top Channel