Një ushtar i ri i Ushtrisë së Malit të Zi, David Gorvokovic, e festoi ditën Ditën e Flamurit të Shqipërisë, më 28 Nëntor, me ushtarë shqiptarë.
Ushtari, që është aktualisht pjesë e një misioni të NATO-s në Bullgari, është fotografuar duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare, gjë që ka shkaktuar reagime të shumta në Mal të Zi.
Lajmin e raportoi gazeta malazeze “Vijesti” me titullin: “Pjesëtari i Ushtrisë së Malit të Zi bën ‘shqiponjën dykrenare’”.
Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Dragan Krapoviq, konfirmoi për “Vijesti” se informacionet janë të sakta dhe se po kryhet një hetim për të mësuar më shumë detaje rreth këtij rasti. Ai foli po ashtu edhe për një incident tjetër që përfshin dy ushtarë malazezë të arrestuar në Kosovë. Ata u ndaluan në Deçan pasi në automjetin e tyre ishte shkruar “Kosova është Serbi”.
Ministri nënvizoi se autoritetet do të veprojnë në përputhje me ligjin për të trajtuar këto situata. Për dy të ndaluarit, Gjykata Themelore në Pejë vendosi një muaj paraburgim . Prokurori atje i akuzoi ata për veprën penale “nxitje të urrejtjes”.
Shkrimet që e paraqesin Kosovën si pjesë të Serbisë, autoritetet kosovare i trajtojnë si provokim. Partitë politike proserbe në Mal të Zi, si dhe Kisha Ortodokse Serbe, nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por e konsiderojnë si territor të Serbisë.
Top Channel