“Burgu” i të miturve/ Drogë, plagosje e vrasje, në institutin e riedukimit vuajnë dënimin 29 adoleshentë

30/11/2024 19:35

Aktualisht në Institutin e Riedukimit të miturve në Kavajë me urdhër të gjykatave janë nën masën e arrestit ose po vuajnë dënimin 29 adoleshentë. 

Duke kujtuar se këtu brenda shkolla është e detyrueshme për fëmijët e arrestuar, Marinela Alia, drejtoreshë e Institutit të Riedukimit të të Miturve rendit veprat për të cilat prokuroritë i kanë hetuar.

Në këtë panoramë të implikimit të fëmijëve specifik është arrestimi i tyre për vjedhje që disa herë i ka kthyer në recividistë.

Veprat që dominojnë janë në fushën e drograve, më tej për plagosje ka edhe për vrasje”-thotë drejtoresha e Institutit të Riedukimit të të miturve Marinela Alia

Më i fundit që përfundoi në këto ambiente është Mario 14 vjeç që po hetohet për vrasjen e Martinit, nxënës në Shkollën Fan Noli, aty ku mësonte edhe autori i dyshuar.

Zonja Alia përshkruan portretin e fëmijëve që trajtohen në këtë institut dhe që janë hetuar në konflikt me ligjin. Disa prej tyre rezultojnë të vijnë nga familje që në një moment krize harrojnë të kujdesen për fëmijët. Të tjerë ndikohen nga interneti, bullizmi por edhe faktorë të njohur  si gjendja ekonomike

Ajo ç’ka kam vënë re janë fëmijë që shtyhen edhe nga ndikimi i modeleve të këqija”-tregon drejtoresha.

Nga të dhënat që disponon TCH vitin e kaluar u identifikuan 2006 fëmijë në konflikt me ligjin, nga të cilët emrat e 746 prej tyre u regjistruan si të pandehur dhe që në vijim pati edhe aplikim të shmangies nga dënimi, këshillim ose paralajmërim me shkrim të vendosur nga gjykata për 282 fëmijë.

Për pjesën më të madhe gjykata vendosi shërbim prove me detyrimin për tu paraqitur sipas frekuencave që ka urdhëruar gjykata, apo me detyrimin që të ndjekin një kurs të formimit profesional.

Aktualisht nën shërbim prove janë 217 të mitur. Ndërsa vazhdon të mbetet problem mungesa e mekanizmave të tjerë që parashikohen në Kodin e Drejtësisë për të mitur

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA