”Prindërit e mi janë të varfër, s’paguajnë dot”, Luis Meçja kërkon ndihmë, reagon Trauma: Po merr shërbimin e nevojshëm, gjendja është përmirësuar

28/11/2024 17:31

14-vjeçari Luis Meçja, i cili mbeti i plagosur në sherrin ku mbeti i vrarë shoku i tij Martin Cani, pranë shkollës “Fan Noli”, vijon të jetë i shtruar në spitalin e Traumës prej ditësh tashmë.

Ai ka kërkuar ndihmë financiare për të përballuar shpenzimet e kurimit jashtë vendit.

Një Gofoundme i hapur në emër të tij, është shpërndarë bashkë me mesazhin e 14-vjecarit, i cili shprehet se prindërit e tij nuk kanë mundësi financiare për të përballuar, spitalin, psikologen apo fizioterapisten.

14-vjecari tregon se është goditur 4 herë me thikë, në stomak, në shpinë dhe në mushkëri, dhe prindërit kanë vendosur ta dërgojnë për kurim jashtë vendit.

Përshëndetje, unë jam Luis Meçja, jam 14 vjeç, kam nevojë për ndihmën tuaj për t’u shëruar. Javën e kaluar më goditën 4 herë me thikë, në stomak, në shpinë dhe në mushkëri.

Unë kam një javë në spital, por prindërit e mi janë të varfër dhe nuk paguajnë dot spitalin, psikologun, fizioterapistin. Ju mund të shihni historinë time në facebook, instagram, lajmet se çfarë më bënë dy personat me thika, një masakër“, thuhet në mesazhin e Luisit.

Pas këtij apeli, Spitali Universitar i Traumës ka reaguar në rrjetin social Facebook, duke theksuar se gjendja e Luisit është e stabilizuar dhe se deri më tani situata në të cilën ai ndodhet paraqitet e mirë dhe se nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës.

Në reagimin e spitalit të Traumës thuhet se Luisit i është dhënë shërbimi mjekësor i nevojshëm dhe pas stabilizimit të gjendjes fillestare ai është shtruar për të vazhduar trajtimin në pavionin e Kirurgjisë së Përgjithshme.

Spitali i Traumës bën të ditur se ndaj 14-vjeçarit janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore për trajtimin fizik dhe psikologjik, dhe në momentin që ka qenë i nevojshëm dhe i mundur, pacienti ka filluar trajtimin fizioterapik, i cili është në vijim dhe ka dhënë rezultate pozitive.

Reagimi i plotë i Spitalit Universitar të Traumës:

Informacion për interesin publik, nisur nga aludimet për mungesën e shërbimit ndaj pacientit 14 vjeçar i plagosur pranë Shkollës “Fan Noli”:

Në lidhje me rastin e pacientit 14- vjeçar i cili ka mbërritur në Spitalin Universitar të Traumës më 18 nëntor, dëshirojmë të bëjmë me dije se ekipi mjekësor i Pranim Urgjencës i ka dhënë pacientit shërbimin mjekësor të nevojshëm dhe pas stabilizimit të gjendjes fillestare ai është shtruar për të vazhduar trajtimin në pavionin e Kirurgjisë së Përgjithshme.

Përveç kujdesit mjekësor intensiv, pacienti ka marrë edhe mbështetje psikologjike nga psikologët. Gjatë qëndrimit në spital, ndaj 14- vjeçarit janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore për trajtimin fizik dhe psikologjik, dhe gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm.

Në momentin që ka qenë i nevojshëm dhe i mundur, pacienti ka filluar trajtimin fizioterapik, i cili është në vijim dhe ka dhënë rezultate pozitive. Aktualisht, gjendja e pacientit paraqitet e mirë dhe deri tani nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës.

Mirënjohje për ekipin mjekësor dhe të gjithë specialistët që po ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së pacientit dhe sigurojmë publikun që Spitali Universitar i Traumës vazhdon të ofrojë kujdes mjekësor të specializuar dhe gjithëpërfshirës për të gjithë pacientët.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë në burg ndodhet Mario Përlleshi, si autor i vrasjës së Martinit, ndërsa nga ana tjetër babai I Luisit tha se është i përfshirë edhe një fëmijë tjetër, i cili i ka goditur djemtë me një thikë më të vogël.

Kjo deklaratë e tij është hedhur poshtë nga policia, e cila thekson se ka vetëm një autor për ngjarjen.

Policia thekson se “nga veprimet hetimore të deritanishme të kryera në drejtimin e Prokurorisë, veprime te cilat janë të bazuara në prova të pakontestueshme për ngjarjen tragjike dhe autorësinë e saj, rezulton se kemi të bëjmë vetëm me një autor, përshkruar edhe në komunikatat e Policisë së Shtetit dhe e regjistruar në materialin filmik të ngjarjes, të cilin ligji na ndalon ta publikojmë për shkak të sekretit hetimor.

Policia tregon edhe dinamikën e ngjarjes sipas të cilës, autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit.

Nga momenti që ka filluar ngjarja dhe në vijim të hetimeve, nuk ekziston autori i dytë i ngjarjes që është sajuar duke hedhur dyshime të ulëta mbi vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit”, thuhet në reagimin e policisë duke ripërsëritur se çdo version i ndryshëm me këtë është i pavërtetë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA