Calin Georgescu shkaktoi një tërmet të vërtetë në Rumani: Kandidati pa parti, me ide të ekstremit të djathtë dhe pro-rus fitoi papritur raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në këtë vend, pa një fushatë të mirëfilltë intensive por duke qenë i pranishëm thuajse vetëm në TikTok.
“Befasi totale”, “tronditje”, “fund me atak kardiak”: këto ishin disa nga komentet e analistëve të habitur në studiot televizive rumune teksa analizojnë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale.
Një fondamentalist i djathtë dhe i krishterë ortodoks, praktikisht i injoruar nga politikanët dhe mediat kryesore, i cili e admiron Putinin po aq sa legjionarët rumunë fashistë të periudhës mes luftërave, triumfoi në raundin e parë, dhe këtë askush nuk e kishte parashikuar, as sondazhet e konsideruara si më të saktat! Calin Georgescu, i lindur në vitin 1962, me profesion inxhinjer agronomie, i pavarur, por aktiv në skenën e ekstremit të djathtë të Rumanisë prej disa vitesh, mori rreth 23% të votave në presidencialet e së dielës.
Ai nuk bëri fushatë të vërtetë elektorale, nuk kishte pas vetes një forcë politike apo organizatë dhe thuajse nuk ishte i pranishëm aspak në mediat tradicionale. Në vend të kësaj, javët e fundit tërhoqi vëmendjen para së gjithash me video në TikTok, të cilat janë shpërndarë qindra mijëra herë.
Komentatorët rumunë u treguan të tronditur natën e zgjedhjeve. Politologu i Bukureshtit Cristian Pirvulescu deklaroi në kanalin televiziv Digi24 se rezultati i zgjedhjeve tregoi hendekun e madh midis klasës politike rumune dhe shoqërisë rumune, pasi një e treta e votuesve kishin votuar për “kandidatët kundër sistemit”.
Megjithatë, është e pasigurt nëse Georgescu do të fitojë raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale pas 14 ditësh: diskursi i tij është shumë ekstrem për shumicën e rumunëve dhe shumë votues mund të kenë votuar për të në raundin e parë thjesht në shenjë proteste dhe pa i njohur shumë nga pikëpamjet e tij.
Top Channel