Zbardhet vrasja misterioze e ndërtuesit Eduart Reçi me një plumb në kokë/ Bien në pranga dy persona në Tiranë, zbulohet shkaku i konfliktit

24/11/2024 15:22

Atentati ndaj ndërtuesit Eduart Reçi më 13 nëntor në rrugën “Faik Konica” është zbardhur nga policia disa javë pas ngjarjes së rëndë dhe në pranga kanë rënë dy persona.

Të arrestuarit siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha janë Shkëlqim Duka dhe Florian Duka. Mësohet se njëri prej vëllezërve, Shkëlqim Duka ishte oficer policia tek komisariati numër dy në Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës bazuar në provat e grumbulluara nga hetimi intensiv, arrestuan shtetasit Shkëlqim Duka, 48 vjeç, oficer Policie dhe Florian Duka, 45 vjeç, vëllezër, të dy banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78 e 25 dhe 278/1/4 të Kodit Penal.

Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, administrimit të provave dhe ekzaminimeve të ndryshme kriminalistike, administrimit të dokumenteve, grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të personave si autorë të dyshuar të kësaj ngjarje.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës, më datë 23.11.2024 është ushtruar kontroll në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi Eduart Reçi po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës).

Ndër personat me të cilët Reçi kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit të dyshuar si autorë të ngjarjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA