“Kthehu për një kafe o burrë”, Rama rrëfen përballjet me shqiptarët në Britani: Shoferi im në Londër ka ardhur me kamion

24/11/2024 13:55

Kreu i qeverisë, Edi Rama gjatë fjalës në takimin me emigrantët që jetojnë në Britaninë e Madhe tha se gjatë vizitave në shtetin ishull është hasur me shumë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje.

Ai solli si shembull shoferin, i cili kishte shkuar me kamion drejt Britanisë së Madhe. Me nota humoir, Rama shpjegoi edhe reagimet e bodygardëve kur përballeshin me këto situata.

Rama: Zonja na quajti pushtues, a thua se kishim ardhur për të kërkuar kokën dhe kurorën e mbretëreshës dhe jo për të punuar me kokën ulur dhe me kurorën e djersës rreth ballit, duke ndihmuar edhe ekonominë britanike, e cila vuan gjithnjë e më shumë për krah pune. U ngritën dhe ca të tjerë pas zonjës dhe na treguan me gisht sikur ishim viking me shpata edhe me sëpata në duar, jo karpentier, murator, bujq, shoferë, kamionistë, recepsionist, pastrues, burra të gatshëm për çdo punë dhe minoren ëndërrimtarë për çdo majë. Dhe ambasadori ynë këtu në Londër është njëri prej tyre. I ardhur që i vogël me gomone dhe i rritur dhe i bërë burrë në korridoret e shkollave dhe universiteteve më prestigjoze britanike nga ku doli me rezultate të larta për t’u integruar denjësisht në shoqërinë e këtushme.

Edhe shqiptari nga Malësia e Madhe që bëri shoferin për mua këtë herë, ka ardhur me kamion nga Italia, 28 orë i mbuluar mes mallrave, ndërsa sot ka një kompani private sigurie me  120 punonjës, jo veç shqiptarë, por edhe anglezë, portugezë, polakë, italianë, pakistanezë, indianë. Ai nuk është ‘’pushtues’’, ai është një kontributor në këtë vend dhe për këtë vend dhe kur isha disa kohë më parë në Londër për të folur në emër të Shqipërisë, për ju të gjithë, ndodhi diçka që për mua ishte e këndshme, por për truprojat angleze që qeveria britanike kishte vënë në dispozicion, ishte shumë e çuditshme.

Hyj në hotel sapo arrita dhe u ula të marr një kafe, vjen kamarieri dhe më flet shqip. Truproja e sheh dhe unë i them: Don’t worry, I’m  home’’.

Dhe ka ndodhur tamam kështu, dal të nesërmen në mëngjes dhe tek dera e hotelit dëgjoj nga lart britma “Edi Rama, Edi Rama’’. Truprojat u vunë në lëvizje, unë ngrita kokën dhe shoh atje lart tre punëtorë në skela, tek godina ngjitur. Ata në shqip; “Kthehu për një kafe, o burrë nga ora 4’’.

Unë i kthehem truprojës dhe i them prapë ’’ Don’t worry, I’m  home’’.

Po kulmi ishte në parlamentin anglez mu tek dera. Një roje i parlamentit; ‘’Ku je, bre Kryeminsitër? Mirë se ke ardhur në Londër’’.

Aty i them truprojës: “Are you from Albania too, my friend’’?

Po çfarë të thuash? Këto janë kohët. Kohët në të cilat jeton bota dhe ne shqiptarët bashkë me të, por ama një gjë është e sigurtë, ajo teta që ju drejtonte ju me gisht, iku nga pushteti bashkë me shpurën e saj kurse ju ja ku jeni. Jeni këtu ku ishit, shqiptarët e Europës në Londër, qytetarët e botës që më në fund sot emri Shqipëri ju bën krenarë edhe këtu në Angli.

Në retorikën e ashpër të politikës, këtu apo gjetkë në Europë, ku, kur më të mëdhenjtë si i thonë asaj fjalës sonë “s’kanë ç’i bëjnë gomarit e i bien samarit’’, shqiptarët janë thjesht viktimat e verbërisë së luftës për pushtet. Ajo lloj retorike nuk deformon vetëm të vërtetën, por edhe mjegullon të tashmen dhe të ardhmen. Harrohet rëndom historia, e cila mes Shqipërisë është, jo thjesht shumë më e gjatë sesa mandatet e qeverive të radhës, por edhe shumë më e mprehtë në domethënien e saj sesa sëpata e vërbërisë politike që pret sa andej-këtej për të zgjeruar hapësirën e influencës elektorale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA