Masa “detyrim paraqitje” pa marrë autorizim nga Kuvendi, Kushtetuesja rrëzon Berishën: Nuk prek funksionin si deputet

21/11/2024 22:17

Pas një seance maratonë rreth 7 orë, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin për “çështjen” Berisha.

Sali Berisha kërkoi shfuqizimin e masës së dhënë nga SPAK  ‘detyrim paraqitje’ dhe ‘bllokimin e pasaportës’ në mënyrë që të mos dalë jashtë vendit.

Kushtetuesja ka gjetur të argumentuar saktë nga SPAK masën e “detyrim paraqitje”, ndërsa ka shfuqizuar atë për bllokimin e pasaportës.

“Gjykata e shqyrtoi masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, në këndvështrim të të drejtës për t’u zgjedhur sipas nenit 45 të Kushtetutës. Duke iu referuar llojit të detyrimit që vendos masa dhe shpeshtësisë së zbatimit të tij (një herë në dy javë), gjykata njëzëri arriti në përfundimin se ajo nuk prek funksionet legjislative të Kuvendit dhe nuk e pengon deputetin të ushtrojë të drejtat e tij si deputet. Për rrjedhojë gjykata njëzëri arriti në përfundimin se në rastin konkret, kjo masë nuk përbën kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë nuk nevojitet autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj deputetit”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

“Gjykata e shqyrtoi masën e sigurimit “ndalim i daljes jashtë vendit” në kuadër të lirisë së lëvizjes të garantuar nga neni 38 të Kushtetutës, e cila është e ndryshme nga liria personale e garantuar nga neni 27 i Kushtetutës dhe për pasojë kërkuesi në cilësinë e deputetit nuk gëzon mbrojtje të veçantë në këtë aspekt, ndaj Gjykata me shumicë votash vlerësoi se kërkimi i autorizimit të Kuvendit nga Prokuroria për këtë masë nuk ishte i nevojshëm”, shprehet Kushtetuesja në lidhje me masën e dytë ndaj ish-kryeministrit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA