Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka zhvilluar një takim me Grupin e Deputetëve “Miqtë e fëmijëve”.
Kryeparlamentarja e nisi fjalën e saj me vdekjen e 14-vjeçarit Martin Cani, i cili u vra me thikë të hënën.
Ndër të tjera Spiropali shprehur gatishmëri për propozime dhe ndryshime në kuadrin ligjor për mbrojtjen e fëmijëve.
Fjala e plotë:
Siç e shihni, ky është një takim shumë i gjerë që dëshmon për karakterin gjithëpërfshirës të kujdesit për zhvillimin dhe mbrojtjen e fëmijëve.
I.
Para se të fillojmë me rendin e ditës besoj se flas edhe për ju kur them se jemi të gjithë të tronditur nga ngjarja e rëndē ku një 14 vjeçar humbi jetën nga një krim i moshatarit të tij.
Siç e nënvizova edhe dje në seancën plenare është detyra jonë të reagojmë dhe të bëjmë rregullime dhe ligje më të forta kundër dhunës, gjuhēs sē urrejtjes, denigrimit dhe abuzimit nē rrjete sociale, por edhe për më shumë përkushtim e përgjegjshmëri në zbatimin e ligjeve, sigurinē, cilēsinē e arsmit dhe edukimit, për modelet qē iu ofrohen fëmijëve në media dhe nē shoqërore.
Çdo fëmijë lind në këtë botë me dritë, me dëshirë për jetën, me një ndjenjë pafajësie, me mundësi e potenciale zhvillimi të personalitetit.
Mund ta imagjinojmë dhimbjen që ndjen një fëmijë kur mizoritë e jetës riformësojnë pritshmëritë e tij, të prindërve e familjes, për shkak të pamundēsive, apo pakujdesive të institucioneve, komuniteteve, prindērve apo shoqërisë.
Është detyra e të gjithëve ne që të “filtrojmë” mesazhet, kuptimet, përjetimet dhe këshillat për fëmijët në të gjitha mikromjediset shoqërore, për ta bërë jetën e tyre më të bukur dhe për të marrë masat për të ngritur ato që mund t’i quajmë “diga mbrojtëse” ndaj të keqes, abuzimeve dhe dhunës që mund të vijnë nga drejtime të ndryshme.
Ne nuk mund të kujdesemi, rrisim e edukojmë fëmijët thjesht me fjalët a këshillat tona të mërzitshme, por me modelet që u ofrojmë atyre.
Në këtë stad të zhvillimit të shoqërisë është detyra jonë prioritare të rrisim një brez të shëndetshëm fizikisht, shpirtërisht dhe moralisht. Sepse e presionet që vijnë nga mjedise të ndyshme shoqërore, nga patologjitë dhe defektet e shoqërisë mund të shkaktojnë thyerje të mëdha te fëmijët.
T’i mbrojmë fëmijët nga format e ndryshme të dhunës dhe abuzimit, offline dhe online, nga format e këqia të punës së fëmijëve, nga dhuna e dukshme dhe e prekshme fizike, por edhe nga rreziqet që vijnë nëpërmjet shkëlqimit dhe joshjes sic ishte më parë televizioni dhe tani xhungla e pakrasitur e rrjeteve sociale.
Mësimi i parë dhe detyra më e rëndësishme që duhet të marrim përsipër nga kjo mbledhje është që Grupi i Deputetëve Miqtë e Fëmijëve të bëjë një rivlerësim të kuadrit ligjor e nënligjor si edhe veprimtarisë së institucioneve e agjencive për mbrojtjen e fëmijëve dhe t’i paraqesë sa më shpejt Kuvendit propozimet ligjore dhe rekomandimet përkatëse.
II.
Kjo është mbledhja e parë që unë drejtoj si Kryetare e Grupit të Deputetëve Miqtë e Fëmijëve.
Mendoj se është një zgjedhje e mençur dhe njëkohësisht tregues përgjegjësie që Rregullorja e Grupit parashikon që Kryetari i Kuvendit është edhe Kryetar i Grupit të Deputetëve Miqtë e Fëmijëve.
Ky është një mesazh që simbolizon dhe sinjalizon rëndësinë dhe përparësinë që u jep zhvillimit, kujdesit dhe të drejtave të fëmijëve Kuvendi i Shqipërisë.
Grupi i Deputetëve Miqtë e Fëmijëve, i cili funksionon në Kuvend prej tre legjislaturash, ka qenë një mbrojtës i të drejtave të fëmijëve përmes miratimit të legjislacionit të duhur dhe përmes kontrollit të qeverisë për zbatimin efektiv të masave.
Ngritja e Grupit bazohet në eksperiencat më të mira të parlamenteve në Botë siç është Komiteti i Fëmijëve i Bundestag-ut Gjerman, organi i parë parlamentar në botë i dedikuar për të përfaqësuar interesat e fëmijëve dhe një ndër më të suksesshmit në këto vite, ku deputetët, i përkushtohen kauzës së mbrojtjes të të drejtave të fëmijëve dhe të adoleshentëve, duke ndërmarrë një sërë nismash, që fuqizojnë zërin e fëmijëve në organin më të lartë ligjvënës, në Parlament.
Përgjatë historisë së tij, Grupi i Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” ka shënuar arritje të rëndësishme në “përkthimin” në akte ligjore të masave, programeve dhe përgjigjeve shtetërore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Hartimi i rezolutave mbi problemet e të drejtave të fëmijëve, ndërtimi i një procesi permanent të bashkëpunimit më fënijët e nxënësit e shkollave, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, prodhimi i disa projektligjeve, sidomos në fushën e drejtësisë për të miturit, sensibilizimi i shoqërisë dhe institucioneve, janë disa nga arritjet e Grupit.
Në dy Rezolutat e miratuara, në prill 2019 dhe qershor 2020, Kuvendi ka vlerësuar angazhimin e Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, marrjen e nismave ligjore dhe hartimin e politikave efektive për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës, si dhe forcimin e kontrollit parlamentar për realizimin e këtyre të drejtave.
Grupi “Miqtë e Fëmijëve” ka rekomanduar dhe kontribuar në shqyrtimin e nismave që mundësojnë përmirësimin e mirëqënies dhe shëndetin e çdo fëmije.
Më lejoni të përmend disa prej këtyre kontributeve:
* rritjen e ndihmës ekonomike ndaj familjeve me fëmijë me nevoja të vecanta;
* përmirësimet ligjore përsa i takon jodizimit të kripës dhe ndikimit në shëndetin e fëmijëve;
* përfundimin e reformës së de-institucionalizimit të shërbimeve për fëmijët;
* përmirësimin e procedurave të birësimit, duke përfshirë opinionin e fëmijëve;
* zbatimin dhe buxhetimin e Agjendës Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve;
* hartëzimin e shërbimeve shëndetësore dhe shërbimeve të kujdesit social për fëmijë në nivel kombëtar dhe buxhetimin e tyre progresiv;
* zgjerimin e tipologjive dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj fëmijëve;
* sigurimin e mos diskriminimit dhe aksesit në shërbime, në institucione publike dhe private, aksesin në transportin publik, sigurimin e informacionit online të aksesueshëm për fëmijët me aftësi të kufizuar,;
* shtrirjen e shërbimeve shëndetësore dhe kujdesit për fëmijët në të gjithë territorin e vendit dhe në zonat rurale;
* zbatimin e rekomandimeve të konventave ndërkombëtare, që adresojnë drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt çështje të të drejtave të fëmijëve;
* zgjerimin e shërbimeve sociale për gratë si faktor që ndikon drejtpërsëdrejti në mirëqenien e familjes dhe shërbimet për fëmijët.
* zbatimin e Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur dhe Strategjisë së Drejtësisë Penale për të Mitur.
* Unifikimin e politikës penale dhe hetimin e veprave penale ndaj fëmijëve, veçanërisht rastet e abuzimeve seksuale dhe pornografisë me fëmijët;
* pajisjen e të gjitha institucioneve arsimore parauniversitare me psikologë dhe të rrisë numrin e tyre në sistem;
* rishikimin e protokolleve për identifikimin e fëmijëve viktima të abuzimit seksual ose formave të tjera të abuzimit në shkollë dhe jashtë saj ose fëmijëve në risk;
* përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, me fokus fëmijët;
* mbikëqyrjen mes formave të kontrollit parlamentar të zbatimit të ndryshimeve të miratuara në ligjin “Për gjendjen civile”;
* ndjekjen e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Komisionerit për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale për çështje të të drejtave të fëmijëve, si dhe realizimin e dëgjesave publike me këto institucione për fuqizimin e rolit të tyre dhe përmirësimin e respektimit e garantimit të të drejtave të fëmijëve;
* realizimin e dëgjesave me Ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe agjencinë shtetërore për të drejtat e fëmijëve;
* tërheqjen e mendimit të fëmijëve dhe adoleshentëve përmes forumeve dhe grupimeve të tyre rajonale;
* adresimin e masave konkrete për të zbatuar detyrimet ligjore për ngritjen dhe fuqizimin e mekanizmave mbrojtës të fëmijëve në nivel vendor etj.
* Vlerësoj në mënyrë të vecantë kontributin e Grupit në miratimin e ligjit “Për Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale” dhe apeloj për fillimin e zbatimit të detyrimeve që rtrtjedhin prej tij.
Siç e dimë të gjithë, ne jemi mbledhur jo rastësisht sot.
20 Nëntori është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve.
Shqipëria e ratifikoi Konventën për të Drejtat e Fëmijës në vitin 1993, duke u angazhuar në këtë mënyrë të përmbushë këto të drejta dhe t’i paraqesë raporte periodike për progresin dhe sfidat Komitetit për të Drejtat e Fëmijës.
Në këtë ditë menduam të bëjmë një bilanc të punës së Grupit dhe të ndërmarrim detyrat përkatëse për vijimin e kontributit tonë në mbrojtjen e të të drejtave të fëmijëve.
Top Channel