Fiks Fare/ “Jam biznesmen, mos m’i prishni imazhin gruas”, burri i drejtoreshës kërcënon gazetarët. 14 mësues të dënuar për falsifikim dokumentesh ende në punë

20/11/2024 20:41

Emisioni Fiks Fare ka sjell një skandal në sistemin arsimor, ku 14 mësues të dënuar për falsifikim dokumentash shkollore dhe shpërdorim detyre vazhdojnë të japin mësim.

Njëra prej tyre është bërë edhe drejtoreshë shkolle, e cila edhe pse e pezulluar vazhdon të shkojë në shkollë. Madje burri i saj biznesmen kërcënon gazetarët e Fiks Fare dhe juristen e ZVA Kavajë.

Irma Xeka ish drejtoreshë e shkollës 9 -vjeçare “Qamil Xhani” në Kavajë ka bërë një kallëzim në Prokurorinë Durrësit , për ish-drejtorin e shkollës 9 vjeçare se në regjistrat e shkollës kishte nxënës fiktivë të cilët vlerësoheshin nga mësuesit, ndërkohë ata ishin jashtë shtetit sipas sistemit TIMS.

Kallëzimi i znj.Xheka u provua nga prokuroria, madje u morën të pandehur edhe 13 mësues të shkollës.

Të cilët me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës janë shpallur të gjithë fajtor për falsifikim të dokumenteve shkollore dhe shpërdorim detyre. “Unë i kallëzova, gjykata i ka dënuar, por ato vazhdojnë të jenë mësues, ndërkohë mua më pushuan nga puna që kur i kallëzova” thotë Xeka.

Emisioni Fiks Fare solli dosjen e plotë të hetimit dhe gjykimit të mësuesve dhe drejtuesve të shkollës të cilët  u shpallën fajtor nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në të cilën thuhet se nxënësit në bazë të sistemit TIMS ndodheshin jashtë shtetit ndërkohë vlerësoheshin me nota në Luz të Vogël . 13 mësues të dënuar vazhdojnë punën normalisht duke dhënë mësim, një prej tyre është bërë dhe drejtoreshë.

Kjo e fundit nuk pranon t’i takojë gazetarët, por lajmëron të shoqin, i cili vjen dhe përballet me ta tek dera e shkollës.

Burri i drejtoreshës së shkollës me ton urdhërues ju thotë gazetarëve të mos ja nxjerrin gruan në televizor, pasi ai është biznesmen. Të njëjtën gjuhë përdor edhe me juristen e Zyrës Arsimore Kavajë, të cilës i thotë se do merret ai me të gjithë për vendimin që kanë marrë për të shoqen.

Ndërkohë juristja e ZVA Kavajë tregon se duhet të shkojë një drejtoreshë e re në atë shkollë në mënyrë që mësuesit të hiqen, sepse drejtoresha është pezulluar për shkak të këtij vendimi gjykate.

“Nuk i hiqte dot ajo drejtoreshë, sepse u pezullua”, tha Klodiana Gjura , juriste e ZVA Kavajë. E vënë përpara faktit se ajo është e pezulluar, drejtoresha Ullorja i kaloi në  telefon juristes së ZVA  të shoqin, ky i fundit i tha jurist se do merret me të gjithë që po ja bëjnë këtë të shoqes. “Unë jam i shqetësuar tani, tani jam shqetësuar unë që jam burri, dhe do merrem me të gjithë”, thotë burri i drejtoreshës.

FOTO GALERI
7/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA