“Ëndërr në papafingo” është një komedi romantike, që trajton temën e ndërtimit të familjes së re socialiste në vitet ‘70, me problemet e kohës që nuk duhet të përsëriten më.
Shfaqja e përgatitur nga regjisori Leka Bungo, mes humorit dhe satirës, përcjell mesazhe sidomos për brezat e rinj.
“Më shumë për të buzëqeshur se sa për të qeshur. Ky ka qenë meraku im. Ndoshta ajo buzëqeshje shpeshherë është e hidhur, sepse nëpërmjet saj transmetohet mesazhi që ka vërtet komedia. Aq më tepër për brezin e ri që nuk e njeh atë periudhë të shohë nëpërmjet një dritareje marrëdhëniet brenda një familje socialiste”, u shpreh regjisori.
Një martesë dhe krushqi për të përfituar. Ky është korrupsioni moral brenda familjes tek Ëndrra në papafingo, ku njerëzit përpiqen të përfitojnë përmes biografisë, por lufta e personazhit kryesor është për lirinë
“Luaj rolin e Lirës. Lira është vajza e shtëpisë, e cila është një pianiste në Teatrin e Operas. Një vajzë rebele, duan ta fejojnë me nipin e ministrit, ndërkohë që unë jam e dashuruar me një njeri më të thjeshtë. Sfida e rolit është teatri brenda teatrit, sepse kur Lira e shikon që nuk ia del t’ia kthejë mendjen familjes, ajo luan një rol sikur është çmendur“, u shpreh Ilirda Bejleri.
Më një kast të përzgjedhur aktorësh, komedia është bashkëpunim i Teatrit Bylis dhe Skampa. Premiera absolutë do të jetë në teatrin e Fierit në 21 dhe 22 nëntor, për të vijuar më pas me shfaqje në Elbasan.
Top Channel