Donald Trump vazhdon të shpërblejë njerëzit që mbështetën fuqishëm rrugëtimin e tij drejt Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti i zgjedhur njoftoi se ka caktuar zëdhënësen e tij të tranzicionit, 27 vjeçaren Karoline Leavitt si sekretare të shtypi në Shtëpinë e Bardhë.
“Karoline Leavitt bëri një punë të jashtëzakonshme në fushatën time historike dhe kam kënaqësinë të njoftoj se ajo do të shërbejë si sekretare e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë.
“Kam besimin maksimal që ajo do të shkëlqejë në podium dhe do të ndihmojë në përcjelljen e mesazhit tonë për popullin amerikan, ndërsa ne do ta bëjmë Amerikën të madhe sërish”, deklaroi Trump.
Detyra e sekretarit të shtypit të Shtëpisë së Bardhë zakonisht është të ndihmojë në informimin e popullit amerikan për aktivitetet presidenciale, por pa tradhtuar besimin e shefit. Karoline Leavitt do te jetë sekretarja më e re e shtypit në Shtëpinë e Bardhë.
Sekretari i mëparshëm më i ri në moshë ishte njëzet e nëntë vjeçari Ron Ziegler, i përzgjedhur nga Presidenti Richard Nixon, në vitin 1969. Leavitt ishte ndihmës sekretare shtypi gjatë pjesës së fundit të mandatit të parë të zotit Trump, nga viti 2017 deri në vitin 2021, e pasi ai humbi zgjedhjet në 2020, ka qenë drejtoreshë komunikimi për ligjvënësen Elise Stefanik, të cilën presidenti i zgjedhur e ka emëruar për detyrën e ambasadores në Kombet e Bashkuara.
Top Channel