Banorët e zonës së Spitallës kundërshtojnë vendosjen e 2100 ton mbetjeve pranë tyre: Ose të largohen ato, ose ne

16/11/2024 12:58

Banorë të zonës pranë venddepozitimit të 2100 ton mbetjeve të dyshuara toksike në Durrës ndjehen të rrezikuar nga prania e tyre afër banesave dhe kullotave të bagëtisë.

Ditët kalojnë dhe ata nuk e dinë se ç’do të bëhet me këto mbetje, ndërsa kërkojnë dhe reagimin e bashkisë.

“Më të shqetësuar se jemi nuk ka ku shkon më. Këto janë lëndë të rrezikshme. Media ka raportuar për to, jo vetëm në Shqipëri por dhe jashtë. Po shikoni, këtu ka lëndë të rrezikshme gjithandej. Të dielën do të bëjmë një protestë paqësore dhe, nëse nuk marrim përgjigje, protesta tjetër do të jetë para bashkisë se nën juridiksionin e saj jemi.”

“Na kompensuan këtu kur na u përmbyt toka tek liqeni i Fierzës, dhe kemi vite duke u përballur me mbeturina. Tani na kanë sjellë edhe helmet. Ne do të dalim të kërkojmë që ose të largohen mbetjet, ose të largohemi ne”, thanë qytetarët.

Me shqetësimin qytetar për ndikimin e mbetjeve në mjedis dhe shëndetin e njerëzve, në zonë u shfaq edhe përfaqësuesja e Partisë Demokratike, Jola Hysaj.

“Pas meje ndodhet venddepozitimi. Mbetjet janë shumë pranë banesave dhe tokave ku kullosin kafshët. Qytetarët kanë të drejtë të ndihen të shqetësuar. Edhe ne që jetojmë në qytet jemi. Nuk mund të lejojmë që në një qytet historik dhe turistik si Durrësi, ku rrezikshmëria e lëndëve është kaq e lartë, të vazhdojë kjo situatë”, tha Jola Hysaj.

Ndërkaq edhe anëtarë të Këshillit Bashkiak të Durrësit kanë kërkuar transparencë nga Prokuroria, por ende nuk kanë marrë një përgjigje. Këshilltari i bashkisë, Jonuz Myshketa, tha se kjo situatë i prek të gjithë, ndaj dhe Bashkia nuk duhet të heshtë.

“Është shqetësim i gjithsecilit, po si përfaqësues të tyre, të zgjedhur me votë, kemi kërkuar të monitorojmë situatën dhe të jemi të pranishëm në marrjen e kampionëve, të sigurohemi që mbetjet të analizohen në laboratorë të pavarur për të kuptuar rrezikshmërinë reale. Heshtja e bashkisë është e pakuptimtë dhe po dëmton qytetarët”, tha Jonuz Myshketa, këshilltar bashkiak.

Banorë dhe përfaqësues vendorë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe transparencë për situatën e krijuar. Ata janë të vendosur që të nisin protestat deri në marrjen e masave dhe një përgjigje të qartë për llojin e mbetjeve dhe largimin e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA