“Solo” e Alfred Lelës/ Botimi me poezi në panairin e librit, Lela: simbolizon vetminë e mendimit

15/11/2024 13:07

Në Panairin e Librit, gazetari dhe publicisti Alfred Lela vjen me një libër me poezi, të krijuara ndër vite dhe të nxjerra në dritë nga shtëpia botuese Onufri.

“Është më shumë një komunikim me veten se sa një libër i bërë me synimin e çmimeve. Kam pritur 30 vite për të ardhur te ky libër dhe te ky promovim, jo si një stacion, por si njëfarë komunikimi”, u shpreh Lela.

Libri titullohet Solo dhe simbolizon vetminë e mendimit dhe përballjen me fëmijën brenda autorit.

“Është një lloj ndarjeje me fëmijërinë, ai fëmija që varet te ai shilarësi i kopertinës, është një farë mënyrë ose në të gjitha mënyrat unë që rrekem dhe përpiqem me fëmijën brenda vetes”, tha gazetari.

Për Lelën, me një përvojë të gjatë në gazetari dhe publicistikë, gazetaria dhe letërsia nuk mund të bëjnë pa njëra-tjetrën.

“Gazetaria thotë Hemingway është letërsi në nxitim, pra nuk mund ta dallosh një letërsi të mirë nga një gazetari e mirë, secila bëhet tjetra. Të jesh cilësor në njërën, je automatikisht edhe në tjetrën“, shtoi Lela.

Agron Gjekmarkaj, i pranishëm në promovimin e librit në Pallatin e Kongreseve, vlerësoi krijimtarinë e mikut të tij.

“Gazetari i prerë, cinik dhe sanguin shfaqet si poet intelektual në këtë libër. Gjeografia ku janë shkruar poezitë në Amerikë, në Itali, në Tiranë e bëjnë këtë një libër mjaft kërshëror”, u shpreh Gjekmarkaj.

Me këtë botim, Lela shfaq te lexuesi anën personale të tij, me emocione dhe përjetime të ndryshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA