Një operacion në Gjirokastër ka vënë në pranga katër persona.
Në pranga ranë dy persona që transportonin me automjet lëndën narkotike, njëri që monitoronte rrugën ku do kalonte automjeti me lëndë narkotike dhe një shtetas tjetër që kishte në automjet një armë zjarri kallashnikov për ta shitur bashkë me lëndën narkotike.
Në aksin rrugor “Bënçë-Tepelenë” u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit I. D., 54 vjeç dhe F. D., 19 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Bënçë, pasi në automjetin me drejtues shtetasin I. D. dhe pasagjer shtetasin F. D., në urën e Bënçës, Tepelenë, u gjetën 3 thasë me rreth 30 kilogramë cannabis sativa.
Gjithashtu, u kap shtetasi M. M., 27 vjeç, që lëvizte me automjetin tip “BMW”, i cili monitoronte rrugën ku kalonte automjeti me lëndën narkotike, me qëllim shmangien e shërbimeve të Policisë.
Në vijim të operacionit, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale kanë kapur dhe arrestuar edhe shtetasin R. B., 27 vjeç, pasi qarkullonte pas automjetit me lëndë narkotike, me automjet tjetër ku mbante një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, me qëllim shitjen.
Top Channel