U ekstradua një ditë më parë nga Spanja, Gjykata e Posaçme vendos vazhdimin e masës “arrest në burg” për Leonard Luzin

10/11/2024 11:36

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion vendosi sot vazhdimin e masës “arrest në burg” për Leonard Luzin, i cili u ekstradua një ditë më parë nga Spanja.

Pas kërkesës së SPAK, GJKKO vendosi vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”.

47-vjeçari akuzohet për organizimin dhe porositjen e Amarildo Nikollit për të vrarë shtetasit Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla.

Vrasja nuk u krye pasi ekzekutori u arrestua në flagrancë nga policia para se të kryente vrasjen.

I njohur edhe si Leonard Sejno, Luzi, i lindur në Vlorë u ekstradua një ditë më parë u ekstradua si rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Spanjës.

Mbi të rëndojnë veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

47-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal, kishte organizuar vrasjen e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla.

Ky krim u parandalua nga Policia, pasi shtetasi Amarildo Nikolli u arrestua para se të kryente vrasjet. Nikollit në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje.

“Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 09.11.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal, në zbatim të nenit 248 të K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Leonard Luzi”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, bazuar në nenet 248, 228, 229, 230, dhe 245 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 136, datë 10.11.2024,
vendosi:

Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar ndaj të
pandehurit Leonard Luzi (alias Zejno, alias Sejno), me vendimin Nr. 11, datë 05.02.2024, nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe
Krimin e Organizuar.

Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia Gjyqësore, për ekzekutimin e këtij vendimi.

Kundër këtij vendimi lejohet e drejta e ankimit brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi, në Gjykatën e Posaçme të
Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, sipas njoftimit të SPAK.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA