Kreu i Njësisë së Krimeve Ekonomike dhe Fiskale të Madridit ka rënë në prangat e policisë pas një megaoperacioni.
Policia ka sekuestruar 20 milionë euro cash në shtëpinë e Óscar Sánchez Gil, 8 prej të cilave të fshehura në një mur betoni dhe 12 milionë të tjera, në një hapësirë të krijuar në tavanin e bodrumit.
“Shtëpia e tij është si ajo e Pablo Escobar”, thanë për El Mundo zyrtarë të lartë që morën pjesë në operacionin policor, të cilët e krahasojnë rastin me kartelin historik kolumbian të drogës, si për sasinë e parave të fshehura në shtëpi, ashtu edhe për masat e sigurisë me të cilat Sánchez Gil mbronte shumën e madhe të parave.
Arrestimi i këtij zyrtari të lartë të policisë në Madrid, i ndaluar së bashku me bashkëshorten e tij (po ashtu punonjëse policie) dhe kunatën ka të bëjë me përfshirjen e Sánchez Gil në trafikun e drogës.
Konkretisht, ai ishte përgjegjës për shkarkimin pa probleme të kokainës në portet spanjolle, e cila mbërrinte në kontejnerë me fruta nga Ekuadori.
Zyrtari i policisë ndihmoi në shmangien e kontrolleve për të kaluar mallin dhe futjen e drogës në Spanjë. Arrestimi i tij ishte rezultat i një operacioni të kryer javën e kaluar, ku agjentët kapën 13 ton kokainë në Algeciras, ngarkesë kjo më e madhja e këtij lloji që është kapur në historinë e Spanjës.
Burime të operacionit përshkruajnë se përfshirja e shefit të policisë në këtë rrjet të fuqishëm ndërkombëtar droge është shumë e lartë.
Këto burime bëjnë me dije se komandanti i arrestuar kishte punuar për krimin e organizuar për të paktën pesë vjet, sipas rezultateve paraprake të hetimit.
“Ai nuk është një shef, por ai është në nivelin poshtë tyre”, vërejnë ata. Nga ana tjetër, rezulton se gruaja e tij nuk kishte asnjë kontroll në organizatën në fjalë, por arrestimi i saj ka ndodhur për shkak se ajo është oficere policie dhe kishte njohuri për aktivitetin që kryente partneri i saj.
Óscar Sánchez tani është i ndaluar së bashku me 14 persona të tjerë si pjesë e rrjetit kriminal dhe akuzohet për trafik droge, pastrim parash dhe marrje ryshfeti.
Roli i tij sipas hetimeve ishte të lehtësonte shkarkimin e drogës për të anashkaluar kontrollet në porte.
Ai kishte përfituar nga përvoja e në seksionin e Narkotikëve në Brigadën Qendrore të Policisë Kombëtare, duke rënë në kontakt me kartelet dhe kishte marrë në dorë edhe çështjet hetimore për anëtarët e rrjetit të drogës.
Sánchez po gjurmohej, ndër të tjera, për një transferim nga një kompani të hetuar për trafik droge që tani ka çuar në arrestime, raporton Efe. Hetimi për të është sekret dhe çështja është në duart e Gjykatës Kombëtare, ndërsa operacioni mbetet i hapur dhe priten të tjera arrestime.
Top Channel