“Shumë spanjollë më komplimentuan në Europian”/ Sylvinho në konferencë: Të gjithë japin maksimumin, më përpara Bajramin s‘e dinin ku luante

08/11/2024 11:51

Shqipëria pret në “Arenën Kombëtare” dy duele të rëndësishme të vlefshme për Ligën e Kombevce, përballë Republikës Çeke më 16 nëntor dhe tre ditë më pas me Ukrainën.

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho u ndal te lista që publikoi pak më parë, duke shpjeguar zgjedhjet e bëra.

“Kam 28 lojtarë, por shpjegohet lehtë. Kemi 5 lojtarë me të verdhë, dy ndeshje në shtëpi, nuk kemi transferta, nuk ka avion, kemi qendër të mirë këtu. Kemi gjithçka këtu. Vendosëm të merrnim maksimumin e mundshëm. Përtej atyre me të verdhë, kemi 3 lojtarë që janë në situatë gri. Kemi folur me doktorët, me klubet, edhe Stesina, duhet të shohim situatën e Kumbullës, Manajt dhe Bares. Duhet të merren, të shohim si janë, nëse janë në gjendje të luajnë apo jo.

Padyshim si të gjithë mund të dalim të parët, por në këtë grup mund të ndodhë gjithçka. Vjen Gjeorgjia dhe na mund, shkojmë ne atje dhe e mundim. Janë katër kombëtare që kanë luajtur në Europian, ka cilësi, janë lojtarë që luajnë në Bundesligë, Premier Ligë, janë të fortë. Kemi avantazhin që luajmë në shtëpi të dy ndeshjet, është një avantazh i vogël, por i mirë.

Për mua kjo ‘dhimbje koke’ është e mirë, sepse çdo trajner do mundësi për lojtarë të ndryshëm. Grupi është i tillë dhe që të mbetesh në lojë është shumë e rëndësishme. Të tre janë lojtarë të fortë. Manaj ka dy javë që nuk luan. Bare po ashtu ka marrë një goditje në gju dhe ka 13 ditë që është jashtë fushave. Sa më shumë lojtarë kemi, aq mundësi na bëjnë më mirë. Muçi po kalon një moment të mirë, po ashtu dhe Bajrami po bën shumë mirë në Skoci. Përpara një muaj unë kam vizituar Muçin, në atë kohë nuk ishte një moment i mirë për lojtarin. Kjo është puna jonë, që të motivojmë lojtarët, një përqafim një komunikim për t’i motivuar më shumë. Por siç e theksoj, është një ‘dhimbje koke’ e mirë.

Këtu po ndodh diçka shumë e bukur me Kombëtaren, sepse po marrim shumë lojtarë nga U-21. Simon Simoni, Feta Fetai, por kujtojmë dhe Pajazitin që është i dëmtuar dhe shpresoj të vijë sa më shpejtë. Kujtojmë që Tuci luajti 13 minuta me Spartën ndeshjen e fundit. Situata e Manajt është për t’u shikuar dhe mendoj që nuk është një moment i mirë për të marrë Kristian Shpendin vetëm për ta futur. Ai është një lojtar shumë i mirë, por në formë shakaje janë të dy vëllezër (për Stiven Shpendin), njëri është më i fortë, tjetri më i shpejtë. Ndoshta i marrim të dy kur të vijë koha (qesh).

Nuk di të them momentalisht. Di ç’duhet t’i them lojtarëve të mi. Është një grup i vështirë, kemi 5 ditë për të bërë stërvitje dhe të kuptojmë ç’duhet të bëjmë ose jo në fushë. Por me zemër dhe shpirt. Me këto të dyja e dimë ç’duhet të bëjmë dhe fatmirësisht kemi tifozët që na kanë mbështetur gjithmonë.

E rithem që situata e Manajt duhet partë dhe vlerësuar për të marrë një vendim. Daku është i skualifikuar, Tuici ka bërë mirë. Kemi dy lojtarë që mund të luajnë si 9-sh. Uzuni është sulmues i dytë, ndërsa Muçi është trekuartistë. Nga cilësitë e lojtarëve janë më të ndryshme. Uzuni është më i përfshirë brenda zonës, ndërsa Muçi krijon më shumë hapësirë për të lëvizur jashtë zonës. Në varësi të nevojave mund të aktivizojmë këta lojtarë dhe një lojtar tjetër si numër 9.

Siç e thashë më përpara ne kemi marrë shumë lojtarë nga Kombëtarja U-21, të cilët janë vërtet shumë të mirë. Duhen respektuar dhe t’i jepet hapësirë të rinjve, por ne nuk vendosim dot për këtë sepse ka një proces në Kombëtare. Kemi lojtarë shumë të rinj në Kombëtaren tonë. Jemi munduar të krijojmë një balancë mes atyre me eksperiencë dhe të rinjve. Mendoj se vërtet kemi një skuadër shumë të re.

Duhet të kemi parasysh dhe kundërshtarët në këtë rast. Në Europian ndeshjen e fundit e kishte me Spanjën, por Spanja ishte nivel tjetër. Mendoj se jemi në një nivel. Dhe ne si ekip nuk pësojmë shumë gola. Nuk janë kundërshtarë që pësojnë shumë. E rëndësishme është që të qëndrojmë në garë. Kemi marrë 6 pikë. Kemi pasur punë të vështira. Tashmë janë ndeshjet e Nations League. Falënderoj lojtarët dhe stafin. Grupi është në një nivel të ekuilibruar. Tani na presin dy ndeshje të vështira.

A ka qenë e lehtë për Çekinë ndaj nesh? Dua të them jo, nuk ka qenë e lehtë as për Çekinë. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Kohë më përpara nuk e dinin se ku luante Nedim Bajrami. Nuk e njihnin Mario Mitajn, Asllanin, Ramadanin. Në ndeshjen e parë me Çekinë, Bajrami e gjeti vetë golin. Mendoj se është një krenari që lojtarët të jenë “gjallë”. Ekipi çek ka ndryshuar trajnerin, por është një ekip i mirë taktikisht dhe i fortë. Ne duhet të bëjmë mirë për të fituar në këtë grup të vështirë, sepse po luajmë të barabartë me Çekinë. Unë kam kontakte në Spanjë dhe pas ndeshjes me Spanjën kam marrë shumë komplimente. Mendoj se kemi bërë një rrugëtim shumë të rëndësishëm. Nuk po them që do shkojmë në Wembley dhe të mundim Anglinë. Ndeshja 3-0 me Çekinë këtu nuk ishte fat. U mundëm 1-0 me Gjeorgjinë këtu, por fituam 1-0 atje. Na presin ndeshje të forta dhe duhet të përmirësohemi.

Ne jemi duke u rritur si ekip. Dua të pyes se sa herë ka qenë full stadiumi në këto kohë. Në ndeshjet e fundit ka qenë sold-out. Mua më duket sikur hyjnë më shumë se 22 mijë tifozë (qesh). Mendoj se është një avantazh i fortë që të dyja ndeshjet i luajmë në shtëpi. Nëse duam të shtojmë pikë në objektivin tonë për grupin, duhet të japim maksimumin në fushë.

Rikujtoj që përmbysëm ndeshjen me Ukrainën që ishte një ekip shumë i fortë. Dua të pyes se sa ndeshje keni parë që janë përmbysur në Europian ose Botëror, sepse futbolli është një ekip shumë i fortë. Sa i përket Asllanit, ai është një lojtar shumë i mirë. Me ne ka dhënë maksimumin. Është titullar me Kombëtaren, ka bërë një Europian shumë të mirë. A ka mundësi të rritet? Patjetër që po, ashtu siç do lojtar tjetër”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA