Nga zgjedhjet e nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u vendos që Donald Trump të udhëheqë administratën shtetërore për katër vjetët e ardhshme.

Kjo pritet të sjellë një dinamikë të re në politikën amerikanë karshi Ballkanit Perëndimor e veçanërisht Kosovës dhe Serbisë.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi shprehet: “Do të ketë një dinamikë më të përshpejtuar të politikës së jashtme për të rikuperuar dëmet që janë shkaktuar në këto vitet e fundit, rrespektivisht këtu hynë edhe Ballkani Perëndimor dhe posaçërisht Kosova”.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare presin që administrata në ardhje të kërkojë më shumë angazhim në zbatim të marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pres që në këto muajt në vazhdim të ketë dinamikë jashtëzakonisht të shtuar ku kërkohen afate kohore por mbi të gjitha zbatim të marrëveshjeve që janë zotuar qeveritë, si e Kosovës dhe Serbisë”, shton Artifi.

Për shkak të mësimeve të marra nga vitet e fundit, njohësit presin edhe zhvillime më konkrete në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, të shtyra nga administrata Trump.

“Nuk besoj se do të ketë marrëveshje të re të shpejtë sepse marrëveshja e Uashingtonit është aty, Marrëveshja e Brukselit është aty, ato mund të koordinohen me marrëveshjen ligjërisht të obligueshme të Kosovës dhe Serbisë dhe anasjelltas pra edhe Serbia ta njeh Kosovën”, thotë ai.

Gjatë periudhës 2017 deri 2021 sa Donald Trump shërbente si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova ka arritur me mbështetjen amerikane të formojë Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë të njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA