“Na jepni emrat kush e urdhëroi dhe arrestoi Ilir Metën”, PL kërkesë zyrtare Policisë: Nëse nuk na përgjigjeni deri në 7 nëntor…

04/11/2024 11:54

Partia e Lirisë i është drejtuar me një kërkesë kreut të Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha.

Sekretari i PL, Tedi Blushi tha se kërkojnë informacion mbi punonjësit e policisë që kryen ekzekutimin e Urdhrit të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion.

“Nëse brenda datës 07.11.2024 nuk na përcillni emrat e personave, për të vijuar me përgjegjësinë personale të atyre personave që kanë dhënë urdhër dhe kanë ekzekutuar në mënyrë barbare një vendim gjyqësor në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me parimet ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut, do të jeni Ju personi që do të mbajë përgjegjësi penale për konsumim të veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzimi i krimit” dhe për bashkëpunim në kryerjen e veprave penale”, theksohet në kërkesë.

Kërkesa e plotë:

NGA: 1. Partia e Lirisë, përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Z. Tedi Blushi, me adresë njoftimi: Rr. Sami Frashëri, Godina 20/10, Tiranë., nr. tel. +355 44 504 178 dhe email: [email protected].

2. Deputetët (i) Z.Petrit Vasili dhe (ii) Znj.Erisa Xhixho

OBJEKTI: Kërkesë për informacion në lidhje me emrat e punonjësve të policisë që kryen ekzekutimin e Urdhrit për ekzekutimin e vendimit nr. 125, datë 20.10.2024, të Gjykatës së Posaçme e Shkallës së parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 21.10.2024, ndaj ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta.

BAZA LIGJORE: Neni 23 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;
Ligji nr. 8580/2000 “Për Partitë Politike”;
Neni 8 i ligjit nr. 8550/1999 “Statusi i Deputetit” ;
Neni 79 i ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”;
Neni 82, pika 4, e VKM-së nr. 750/2015 “Për Miratimin e Rregullores së Policisë së Shtetit”.

DREJTUAR: Z. Ilir Proda
Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

PËR DIJENI: Z. Ervin Hoxha
Ministër i Brendshëm

I Nderuar Z. Proda,

Më 21 tetor 2024, Presidenti i Partisë së Lirisë, Z.Ilir Meta, ish-Kryeministër, ish-Kryetar i Kuvendit dhe ish-President i Republikës së Shqipërisë, sipas videove të publikuara dhe dëshmitarëve okularë, u trajtua në mënyrë denigruese, degraduese dhe çnjerëzore nga persona me maska dhe të armatosur rëndë, që më vonë u pretendua nga Ministri i Brendshëm, Z.Ervin Hoxha, se ishin Forca Lëvizëse Operacionale e Policisë së Shtetit.

Incidenti ndodhi në një kryqëzim të ngarkuar në Tiranë pranë “Casa Italia”, ku automjeti me të cilin lëvizte Presidenti i Partisë së Lirisë, Z.Ilir Meta, u bllokua qëllimisht nga disa automjete private pa shenja identifikuese dhe pa asnjë mbishkrim policor, nga të cilat dolën dhjetëra persona të armatosur rëndë dhe me maska, të veshur me uniforma të zeza pa logo, pa distinktiva apo shenja identifikuese, të cilët rrethuan zonën duke krijuar një atmosferë terrori për qytetarët që ishin të pranishëm.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Z.Ilir Meta u nxorr forcërisht nga automjeti me të cilin udhëtonte, u rrëmbye me dhunë, u tërhoq zvarrë mes publikut nga personat me maska, me një trajtim kriminal, denigrues dhe degradues, pa ju komunikuar asnjë vendim gjyqësor dhe pa ju lexuar të drejtat, që i takonin, sipas Kushtetutës dhe po në mënyrë të dhunshme u detyrua forcërisht të hipte në një nga automjetet private që i bllokuan rrugën. Ndërkohë u prangos dhunshëm edhe drejtuesi i automjetit, z.Artimis Peca, Sekretar për Organizimin i Partisë së Lirisë (pa asnjë vendim gjyqësor deri tani).

Ky veprim ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë, Z.Ilir Meta përbën një trajtim degradues, poshtërues dhe të pajustifikuar për një individ që nuk ishte i armatosur, nuk paraqiste rezistencë dhe nuk përbënte asnjë kërcënim dhe rrezik për rendin publik.

Sjellja e tillë përbën një shkelje të hapur të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, përfshirë nenin 28 të Kushtetutës së Shqipërisë, i cili garanton të drejtat e personave të ndaluar dhe të arrestuar, dhe nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), që mbron lirinë dhe sigurinë e personit, duke kërkuar që masa e ndalimit apo arrestimit të jetë në përputhje me ligjin dhe të bëhet në mënyrë humane dhe me respekt për dinjitetin njerëzor.

Po ashtu, janë shkelur nenet 5, 34/b dhe 246 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenet 3 dhe 5 të ligjit nr. 79/2020 “Për Ekzekutimin e Vendimeve Penale”. Ky ligj përcakton qartë se çdo person i ndaluar apo arrestuar duhet të trajtohet në mënyrë humane dhe pa diskriminim, duke ruajtur integritetin dhe dinjitetin e tij.

Ajo që është veçanërisht shqetësuese është se ky operacion i kryer nga një njësi policore, ende e paidentifikuar plotësisht, ka shfaqur një qasje arbitrare dhe ka dhënë një shfaqje të panevojshme të forcës.

Përdorimi i maskave, uniformave dhe mjeteve pa identifikim të qartë, si dhe armatimit të rëndë në këtë operacion jo vetëm që ka krijuar frikë dhe panik në publik, por është gjithashtu në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe të drejtave të njeriut, duke sfiduar çdo parim të transparencës dhe llogaridhënies që kërkohet për forcat e rendit.

Jemi vënën në dijeni se Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) nuk janë përfshirë në procesin e ekzekutimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg” ndaj Z. Ilir Meta.

Për sa më sipër, në bazë të neneve 23 dhe 28 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenit 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ligjit nr. 8580/2000 “Për Partitë Politike”, nenit 8 i ligjit nr. 8550/1999 “Statusi i Deputetit”, nenit 246 i Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë të na vini në dispozicion informacionin si më poshtë vijon:

1. Të na vini në dispozicion brenda datës 07.11.2024 emrat e të gjithë skuadrës së pretenduar policore që më datë 21.10.2024 ekzekutuan Urdhrin për ekzekutimin e vendimit nr. 125, datë 20.10.2024, së Gjykatës së Posaçme e Shkallës së parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, lëshuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj Z. Ilir Meta, në kundërshtim të hapur me nenin 28 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke trajtuar Presidentin e Partisë së Lirisë dhe ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë degraduese dhe poshtëruese;

2. Emrat e personave që kanë urdhëruar dhe kanë udhëhequr këtë operacion kriminal.

Nëse brenda datës 07.11.2024 nuk na përcillni emrat e personave, për të vijuar me përgjegjësinë personale të atyre personave që kanë dhënë urdhër dhe kanë ekzekutuar në mënyrë barbare një vendim gjyqësor në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me parimet ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut, do të jeni Ju personi që do të mbajë përgjegjësi penale për konsumim të veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzmi i krimit” dhe për bashkëpunim në kryerjen e veprave penale.

Duke shpresuar dhe besuar në një bashkëpunim të plotë nga organi juaj, mbetemi në pritje të përgjigjes Tuaj.

Me Konsideratë

Për Partinë e Lirisë Deputetët:

TEDI BLUSHI

SEKRETAR I PËRGJITHSHËM 1. PETRIT VASILI

2. ERISA XHIXHO.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA