Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali zhvilloi një takim sot me organizatat e shoqërisë civile.
Gjatë fjalës së saj, ajo u shpreh se ajo çfarë është e ndryshme dhe që e bën të ndryshëm këtë aktivitet në Shqipëri apo dhe vende të tjera të gadishullit është rezultati që afron angazhimi i shoqërisë civile.
“Le të jemi të vërtetë dhe të drejtpërdrejtë. Pse ndjehet pak ky efekt në Shqipëri dhe pse çdo gjë mund të bëhet me elegancë manuali? Modestisht, si një ish-aktiviste e shoqërisë civile mund të them, ndoshta e kam edhe gabim, por aktivizimi në shoqërnë civile nuk është profesion. Ai është pasion. Nuk është një punë për gra nazike dhe burra të përkorë, por është një sfidë për njerëz pasionantë që nuk presin të fitojnë, por janë gati të sakrifikojnë. Për bindje dhe për ide. Për të ndryshuar dhe për t’u bërë pjesë e progresit jo thjesht duke përdorur inteligjencën artificiale, fjala vjen, për të shkruar raportin e të nesërmes, copy paste nga raporti i të shkuarës.
Duke njohur shumicën tuaj edhe personalisht, di që në shoqërinë civile janë të përfshira disa nga mendjet më të mira të Tiranës. Më besoni, e quaj mëkat që ky potencial i madh njerëzor asnjëherë deri më sot nuk është shfrytëzuar dhe nuk është vënë në funksion të shoqërisë ashtu si dhe sa duhet. Por së paku në marëdhënien dy palëshe mes shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore gjërat kanë rrjedhur me sikur: bëjmë sikur të gjithë jemi të kënaqur me frute artificiale. Sepse së paku, frutat artificiale nuk kanë datë skadence dhe mund të serviren stinë mbas stinë në tryezë edhe kur ndryshon ngjyra e mbulesës së tryezës.
Jam e bindur se receptorët e secilit nga ne mund të ndjejnë në ajër që vendin tonë po ndodh diçka e pazakontë. E ndryshme nga e shkuara dhe që është e lidhur, përtej asaj që mund të quhet kronikë e ditës, me funksionimin e balancës dhe kontrollit mes tre pushteteve. Të pamësuar me një gjë të tillë, të ngatërruar ndoshta dhe nga titujt e ditës, pikërisht ky është thelbi i të sotmes dhe projeksioni i asaj që do të ndodhë në të nesërmen, ku ndryshimi epokal kuptohet me vështirësi. Ky gurthemel i shtetndërtimit reflekton pikërisht këtë realitet të ri. Dhe duke pasur këtë parasysh, mendoj, që edhe roli i Kuvendit në raport me shoqërinë civile dhe e anasjellta duhet ridimensionuar. Sesi duhet bërë, duhet ta formatojmë bashkarisht, por padyshim, së pari, duke hequr dorë nga formalizmi. Duke ju shmangur përgjumjes së Kolës që shkon në punë sa me u gjet në punë!
Uroj shumë të mos tingëllojë e ashpër kjo që ju them. Shumë më shumë se e tillë është një vetreflektim dhe një lutje e ftesë për bashkudhëtim në sfidat e përbashkëta që ka shoqëria jonë, që nuk kanë të bëjnë me ngjyra partiake, por me nevoja strategjike të gjithë Shqipërisë, faktorit shqiptar dhe më gjerë.
Dje Ambasadori Gonzato na dorëzoi raportin e Progresit për Shqipërinë për vitin 2024, i cili pas momentit historik të 15 tetorit, mbajtjes së Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE dhe celjes së grup/kaputilluit Themeloret, ishte një tjetër lajm i mirë për shqiptarët.
Rezultatet dhe arritjet, të cilat na bëjnë krenarë, por edhe vërejtjet, kritikat, rekomandimet, të cilat duhet të na bëjnë më të përgjegjshëm, më llogaridhënës para qytetarëve, janë një trase për rrugën e të nesërmes. Do të doja shumë që ky takim me ju të shërbejë edhe në këtë drejtim. Për të ndarë ide e mendime sesi ky proces mund të jetë më i shpejtë, më gjithëpërfshirës dhe më i ekuilibruar.
Unë ju kam ftuar në këtë dialog, të dashur miq, për të ndarë me ju sfidat e Kuvendit jo vetëm për procesin e anëtarësimit në BE, por edhe për përgjegjësitë tona për ligjëbërjen dhe kontrollin parlamentar.
Njëkohësisht njoh edhe përgjegjësinë se ky bashkëpunim mund të kishte shkuar më mirë dhe mund të kishte qenë më produktiv, nëse, ashtu siç e vlerëson edhe Raporti i Progresit, zbatimi i kuadrit dhe detyrimeve tona ligjore për procesin e konsultimit publik do t’i kishte shpëtuar në disa raste formalizmit.
Në dritën e Raportit të Progresit, Kuvendi do të punojë për rritjen e produktivitetit dhe transparencës së bashkëpunimit me shoqërinë civile, që jo vetëm të kemi standarte ligjore dhe institucionale bashkëkohore, por edhe një zbatim të tyre, të bëjmë plotësisht funksional regjistrin elektronik të organizatave të shoqërisë civile, të krijojmë një bazë solide dhe nxitëse për aksesin e shoqërisë civile në burimet publike të financimit, kontributin në shoqëri etj.
Shoqëria civile është shprehja e interesave të ndryshme dhe diversitetit në mendime e qëndrime, duke pasur një rol parësor në lobimin për nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve, fëmijëve, grave, studentëve, ambientalistëve, fermerëve ë të gjitha grupeve shoqërore.
Prandaj, rritja e bashkëpunimit të Kuvendit me shoqërinë civile përmes informimit, konsultimit, dialogut dhe partneritetit, do të vijojë të përbëjë prioritet, me qëllim konsolidimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi mbi baza institucionale.
Përmirësimi i mekanizmave aktuale (regjistri online, platforma online e konsultimit të projektligjeve, si dhe gjetja e mekanizmave të rinj, për sigurimin e një transparence parlamentare maksimale për komunikimin e ndërveprimin e vazhdueshëm me qytetarët, do të vijojnë të jenë çështje prioritare, me qëllim ndërtimin e marrëdhënieve funksionale me publikun e gjerë dhe konsolidimin e një parlamenti të hapur e transparent.
Pikëpamjet dhe kontributet tuaja ndihmojnë në formësimin e politikave më të drejta, më gjithëpërfshirëse dhe më të përgjegjshme.
Në këtë frymë, do të dëshiroja që sot të vijojmë dialogun e hapur dhe të sinqertë mbi forcimin më tej të mekanizmave të bashkëpunimit midis shoqërisë civile dhe institucioneve.
Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen time për angazhimin tuaj të përditshëm si roje e interesit publik e qytetar dhe në informimin e qytetarëve për çështje të rëndësishme publike.
Ky nuk është vetëm roli i medias, por është një ndër rolet thelbësisht të shoqërisë civile, përmes debatit për politikat publike dhe shpërndarjen e informacionit për çështje ose kauza, të cilat i bëjnë prezent në Kuvend nëpërmjet kanaleve të komunikimit, si platforma e konsultimit dhe seancat dëgjimore në komisionet parlamentare etj.
Kontributi i shoqërisë civile lidhet edhe me nxitjen e formave inovative të pjesëmarrjes së qytetarëve në hartimin e politikave publike, si një ndër sfidat e Kuvendit, për krijimin e hapësirës së duhur për pjesëmarrje në ligjbërje dhe kontroll parlamentar.
Në këtë drejtim, prioritet thelbësor përbën përmbushja në vetvete e misionit kyç të Kuvendit, që lidhet me procesin efektiv të një ligjbërjeje cilësore dhe kontrollit parlamentar të fortë, duke e sjellë atë më pranë qytetarëve, në funksion të konsolidimit të demokracisë, promovimit të qeverisjes së mirë, zhvillimit, mirëqenies dhe integrimit evropian të Shqipërisë.
Shoqëria civile nuk është në “luftë” të vazhdueshme me shtetin. Ju jeni në fakt, në luftë me armiqtë e shoqërisë së lirë, me kundërshtarët e shtetit demokratik, me minuesit e demokracisë funksionale, të sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës dhe lartësimit të të drejtave të njeriut.
Sot, si Kryetare e Kuvendit, jam këtu t’ju them se në këtë luftë jemi e do të jemi në krah të njeri-tjetrit, me Kuvendin, grupet parlamentare, komisionet e përhershme dhe të posaçme, me secilin deputet.
Duke ju falenderuar për kontributin e deritanishëm të ekspertëve dhe protagonistëve të shoqërisë civile në punën e komisioneve të përhershme, Këshillit Kombëtar të Integrimit, Komisioneve të posacme, unë mendoj se kontributi, kritikat, oponenca dhe mbështetja e shoqërisë civile janë jetike për suksesin e tyre.
Një shtet demokratik nuk mund të jetë i qëndrueshëm, nëse nuk është efektiv dhe legjitim, me respektin dhe mbështetjen ndaj qytetarëve të tij. Shoqëria civile është një ndër mekanizmat më të nevojshëm të kontrollit, si dhe një partner jetik në kërkimin e kësaj marrëdhënieje pozitive, ndërmjet shtetit demokratik dhe qytetarëve të tij. A mund ta bëjmë të tillë rolin e shoqërisë civile edhe në Shqipëri? Këtu në këtë sallë, siç ju njoh, ka një energji të jashtëzakonshme njerëzore e intelektuale. Koha që po shkund fort gjithë Shqipërinë, besoj se do të bëjë të njëjtën gjë edhe për këtë eksperiencë dhe pasuri që tashmë e kemi krijuar dhe mund ta trashëgojmë edhe në të ardhmen dhe për hir të së ardhmes”, tha ajo.
Top Channel