Fiks Fare/ 443 policët e Vlorës pa orët shtesë dhe trajtimin ushqimor, s’ka fonde!

30/10/2024 21:10

Në muajin Qershor, qeveria doli me një vendim për rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Disa muaj pas miratimit të këtij vendimi, në redaksinë e Fiksit u ankuan qindra punonjës të policisë së Beratit. Ata ankoheshin se s’kishin marrë orët shtesë gjatë sezonit veror dhe ushqimet e muajit Dhjetor 2023.  Ndërkohë, të njëjtin problem kanë edhe policët e Vlorës, të cilët ankohen se s’kanë marrë orët shtesë të 15 ditëshit të dytë të muajit Qershor 2024, orët shtesë të muajit Gusht dhe Shtator 2024. Madje, s’kanë marrë as ushqimet e muajit Gusht dhe Shtator 2024.

Në Fiks Fare u ankua një punonjës i Policisë Vlorë të cilët nuk kishin marrë pagesat për orët shtesë të sezonit turistik si dhe pagesën ushqimore. Ata gjatë sezonit turistik kanë punuar me orar të zgjatur 12 orë dhe nuk janë paguar ende. Kjo bie në kundëtshtim me VKM që thotë se orët shtesë duhet të kalojnë bashkë me rrogën mujore.

Ajo për të cilën këta punonjës policie ankohen janë orët shtesë të  15 ditëshit të dytë të Qershorit, muajit Gusht dhe Shtator, kurse Korrikun e kanë marrë. Edhe përsa i përket ushqimit  të muajve Gusht dhe Shtator nuk u ka kaluar  akoma, të gjitha këto me pretendimin  se nuk ka fonde për orët shtesë. ”

Shefja jonë e financës së Drejtorisë Vlorë justifikohet se nuk ka fonde për orët tona shtesë. Ndërkohë në rrethet e tjera të gjitha orët janë shlyer. Si është e mundur që vetëm në Komisariatin e Vlorës nuk paska fonde?” shprehet punonjësi i policisë. Përsa i përket rritjes së pagës që u janë bërë punonjësve të policisë, denoncuesi shprehet se nuk e llogarisin dot rritjen e pagës sepse nga muaji në muaj marrin pagesa të ndryshme.

Fiksi kontaktoi me anë të telefonit me Shefen e Financës në Drejtorinë e Policisë Vlorë. Shefja Eva Isufi pranon se këto orë nuk janë paguar se “s’ka fonde”. Sipas saj, nuk është bërë pagesa e 15 ditëshit të Qershorit. Përsa i përket muaji Korrik është paguar, pasi “i kemi pasur fondet”.

Tregon se policët kanë qenë në gatishmëri 12 orë gjatë sezonit veror, por s’kanë marrë as muajin Gusht dhe Shtator. “Kemi bërë disa kërkesa në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në Ministrinë e Financave. Kur të na vijmë, do bëjmë shpërndarjen” thotë shefja e Financës.  Ndërsa pyetjes në lidhje me ushqimin që nuk u ka kaluar për dy muaj, shefja tha se ishin në fazën e fundit të kontrollit për t’u kaluar pagesat punonjësve.

Fiksi bëri dhe një  kërkesë në Policinë e Vlorës.  Në përgjigjen e saj kjo drejtori shprehet se “Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka në organikë 443 punonjës policie. Për vitin 2024, janë parashikuar 200 orë suplementare në vit, mesatarisht 16 orë në muaj. Me urdhrin nr. 846 të datës 05.06.2024, është miratuar Procedura Standarde e Punës, e cila përcakton një maksimum prej 87 orësh në muaj për sezonin turistik. Për muajin Korrik 2024, është realizuar pagesa për orët suplementare.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka ndjekur procedurat për sigurimin e fondit shtesë, duke paraqitur kërkesë pranë Drejtorisë së  Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Departamentit për Shërbimet Mbështetëse dhe Drejtorisë së Financave dhe pas alokimit, do të vijojnë pagesat për pjesën tjetër të sezonit veror”.

Pra edhe Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë  pranon që nuk ka fonde!

 

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA