Ish-ushtaraku i njësive japoneze të luftës biologjike thyen heshtjen për krimet e luftës: S’e dija që i operonin njerëzit për t’i vrarë

29/10/2024 21:07

Japonia vazhdon të jetë e ndarë për sa i përket mënyrës se si duhet të përballet me të kaluarën e saj të dhunshme, ndërsa pjesë të historisë së vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore ende shkaktojnë debat.

Tashmë një person me lidhje të drejtpërdrejta me atë pjesë të historisë, po thyen dekada heshtjeje, me kosto të madhe personale. Ai bisedoi në qytetin japonez Ida me korrespondentin e Zërit të Amerikës, Bill Gallo.

Në një zonë të qetë në alpet japoneze, rreth tre orë me makinë nga Tokio, Hideo Shimizu ka mbajtur një sekret, në një shtëpi të vogël të mbuluar nga pemët.

Por Shimizu ka vendosur të mos heshtë më.

Në moshën 94-vjeçare, ai ndan historinë e tij me një gazetar amerikan për herë të parë, për të folur për një nga krimet më të tmerrshme dhe pak të njohura të luftës… ku ai ishte i përfshirë personalisht.

Shimizu ishte vetëm 14 vjeç në vitin 1945 kur iu bashkua Njësisë 731 të Ushtrisë Japoneze. Ende fëmijë, Shimizu nuk e kuptoi se ku kishte hyrë. Ishte një njësi e fshehtë e luftës me mikrobe që torturonte të burgosurit në emër të shkencës.

Mendova se ishte një hulumtim që synonte t’i ndihmonte njerëzit të mos sëmureshin, por ishte pikërisht e kundërta“, i tha ai Zërit të Amerikës.

Detyra e tij ishte të kujdesej për minjtë e laboratorit.

Vërtet nuk e kisha idenë në atë kohë se i operonin njerëzit për t’i vrarë“, thotë zoti Shimizu.

Njësia ishte vetëm një pjesë e vogël e pushtimit të Kinës nga Japonia – megjithëse hetimet e pasluftës sugjerojnë se ishte ndoshta pjesa më mizore e saj.

Kjo është gjithçka që ka mbetur nga ish-selia e Njësisë 731 në Harbin të Kinës, ku u zhvilluan eksperimente të tmerrshme me njerëzit.

Në disa prej këtyre ndërtesave, të burgosurit e sëmurë mbylleshin me të shëndetshmit, për të parë se sa shpejt do të përhapej murtaja vdekjeprurëse. Dhe fëmijët u detyruan të futeshin në dhomat e gazit në mënyrë që mjekët të masnin kohën që iu duhej për të vdekur.

Këto imazhe ende e ndjekin Shimizun 80 vite më vonë.

Hideo Shimizu duke biseduar me gazetarin e Zërit të Amerikës, Bill Gallo

Ajo që u bë, u bë. Por edhe pse nuk merresha me [të burgosurit], ndihem ende fajtor – vetëm sepse kam qenë pjesë e kësaj”, i rrëfen ai Zërit të Amerikës.

Zoti Shimizu tashmë po përballet me mizoritë e së kaluarës së tij. Së fundmi ai u rikthye në Kinë për herë të parë, për të vizituar vendin ku Njësia 731 shkaktoi viktimat e saj.

Nëse ata do të mund ta ndjenin keqardhjen time, zemra ime do të ndihej pak më mirë“, thotë ai.

Ndjesa e zotit Shimizu u prit mirë në Kinë, duke u parë si një njohje e vonuar e mizorive japoneze.

Por në Japoni, përfshirë edhe në qytetin e afërt Iida, Shimizu ka trazuar ujërat. Për disa nga pjesët më të errëta të së kaluarës së Japonisë ende po debatohet – dhe për shumë të tjera, ato mbahen të fshehura në heshtje.

Është një situatë e ndërlikuar për zyrtarët që drejtojnë muzeun e qytetit, që ka për qëllim të ruajë përvojat e kohës së luftës të banorëve vendas.

Në një kthinë të vogël shfaqen disa objekte që lidhen me Njësinë 731. Por aty gjendet edhe një deklaratë se “hulumtimi është në vazhdim” dhe se shoqëria ka “disa mendime të ndryshme” për këtë njësi.

Objektet e eksperimenteve të ushtrisë japoneze në muzeun në Iida

Njerëzit kanë shumë pikëpamje të ndryshme. Pra, ne përpiqemi të ruajmë një ekuilibër të caktuar me këtë lloj ekspozite”, thotë Takeshi Goto, zyrtar i qytetit.

Muzeu refuzoi të përfshijë dëshmitë e anëtarëve të Njësisë 731, ndër ta edhe të zotit Shimizu. Disa prej dëshmive, thanë ata, ishin shumë të papërshtatshme për fëmijët.

Por aktivisti vendas për paqen Hideaki Hara thotë se kjo është për shkak se qeveria nuk preferon të tërheqë vëmendjen për gjëra të tilla si Njësia 731.

Qeverisja vendore në Iida dhe qytetet e tjera përgjithësisht rreshtohen me qeverinë qendrore… Kjo i bën ata të hezitojnë ta pranojnë rolin e Japonisë si autore në këto ngjarje“, thotë zoti Hara.

Në dekadat e fundit, disa politikanë konservatorë, të cilët duan të rikthejnë fuqinë kombëtare të Japonisë, janë përpjekur të rishkruajnë pjesët më të shëmtuara të historisë së saj, thotë profesori i Tokios, Jeff Kingston.

Duan të krijojnë një të kaluar më të zbukuruar, të pastruar, të kohës së luftës që mendojnë se do të ishte më e këndshme për të rinjtë japonezë dhe do të ndihmonte në kultivimin e krenarisë për kombin”, thotë profesori Kingston.

Japonia nuk është e vetmja që ndihmoi në fshehjen e historisë. Pas dorëzimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara u dhanë imunitet shumë prej shkencëtarëve kryesorë të Njësisë 731 në këmbim të punës së tyre kërkimore, që zyrtarët amerikanë thanë se donin ta mbanin larg duarve të sovjetikëve.

Shtetet e Bashkuara ishin bashkëpunëtorë në kamuflimin e historisë së Njësisë 731. Eksperimentet e tyre në luftën biologjike, luftën kimike, eksperimentet me qenie të gjalla – e gjithë kjo u konsiderua e dobishme dhe do t’i jepte Shteteve të Bashkuara një avantazh të madh“, thotë profesor Kingston.

Në shtëpinë e tij në mal, zoti Shimizu ndoqi urdhrat e ushtrisë për të mbajtur heshtjen. Për dekada, ai nuk i tregoi askujt për të kaluarën e tij, edhe ndërsa shumë nga ish-bashkëpunëtorët e tij përparonin në shoqëri.

Eprorët e mi u bënë profesorë në universitete, presidentë të kompanive farmaceutike, pjesëtarë të ushtrisë së re. A mundeni ta besoni? Ndërsa unë, nuk mund të punoja as në spital”, thotë zoti Shimizu.

Këto ditë, ai është i zënë duke planifikuar fjalime dhe duke dhënë intervista për gazetarët – kryesisht nga Kina. Por çmimi ka qenë i lartë. Nacionalistët e zemëruar e sulmojnë atë rregullisht në internet.

Edhe familja i është larguar tashmë – veçanërisht që nga udhëtimi i tij në Kinë.

Vajzat e mia nuk më vijnë fare në shtëpi tani… Thjesht nuk e kuptoj arsyen – aspak“, thotë ai.

Një çmim i lartë për të thënë të vërtetën. Por me kohën që i ka mbetur, Shimizu nuk do të qëndrojë më në heshtje./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA