8.3 miliardë euro për vitin e ardhshëm, si do ndahet buxheti i shtetit! Ku do të bëhen investimet kryesore

29/10/2024 15:55

822 miliardë lekë, apo mbi 8.3 miliardë euro. Kjo do të jetë vlera fillestare e buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm.

Qeveria ka depozituar në Kuvend projektligjin më të rëndësishëm të financave të vendit, i cili do t’i prezantohet zyrtarisht deputetëve ditën e mërkurë gjatë Konferencës së Kryetarëve.

Rritja e shpenzimeve, me 51 miliardë lekë më shumë nga 2024-a, konsiderohet modeste krahasuar me vitet e shkuara. E megjithatë parashikohet me ndryshime të mëdha në terma praktikë.

Duke nisur nga investimet publike, që do të kapin shifrën e 161 miliardë lekëve, një rekord historik, veçanërisht në proporcion me buxhetin. Para, që në një vit elektoral, do të shkojnë në ndërtimin e rrugëve, shkollave, qendrave shëndetësore dhe modernizimin e ushtrisë e pajisje të tjera për administratën.

Pjesa e luanit nga rritja e buxhetit megjithatë i shkon pensioneve. Fushata aktuale në luftën ndaj informalitetit dhe ligji që njeh automatikisht vitet e punës në ish-kooperativa dhe ish-ndërmarrje, do të prodhojë një rezultat prej 14.3 miliardë lekësh shtesë, apo mbi 145 milionë eurosh për skemën e pensioneve.

Ndërsa plot 10.5 mld lekë shtesë do t’i ndahen bashkive.

Zërat e tjerë që kanë pësuar rritje ndjekin me shpenzimet për infrastrukturën: kryesisht atë rrugore dhe detare, përmes projekteve si Portit i ri në Porto Romano apo korridori 8 dhe rruga Elbasan-Rrogozhinë.

Nga ana tjetër, shpenzimet për arsimin do të rriten me 9.4 miliardë lekë. Ndjekur nga 4 miliardë më shumë për mbrojtjen, 3.1 miliardë për policinë e shtetit, 2.8 mld për shëndetësinë, si dhe 1 miliardë për shërbimet e e-Albania. Buxheti reflekton me rritje ndërkohë edhe politikën e këtij viti për pagat në administratën publike.

Nga aspekti i ndryshimeve në taksa e tatime, parashikohet vetëm rritja e akcizës së duhanit dhe rifillimi i veprimtarisë së lojrave të fatit. Bastet sportive online, që ishin të parashikuara fillimisht të rihapeshin këtë vit, pritet të sjellin së paku 20 milionë euro në arkat e shtetit, ndërsa kompanitë presin pranverën 2025 si afat zyrtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA