Avokati Genc Gjokutaj hyri tek burgu 313 për të takuar ish-presidentin Ilir Meta.
Avokati i tha gazetares së Top Channel, Anila Hoxha se po përgatit ankimin për në gjykatën e Apelit të Posaçëm të cilin pritet ta dorëzojë sot ose të premten.
Prej ditës së kaluar Ilir Meta gjendet i paraburgosur në 313 me masën arrest me burg.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar një ditë më parë la në burg ish-presidentin Ilir Meta, dhe në detyrim paraqitje Monika Kryemadhin, Ema Çokun dhe Pirro Xhixho.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u arrestua me urdhër të SPAK mesditën e së hënës në Tiranë.
Masat dhe akuzat ndaj tyre nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë:
Ilir Meta, masa e sigurimit personal “Arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Monika Kryemadhi, masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2 raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Piro Xhixho, masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim.
Ema Çoku, masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim.
Top Channel